E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha fushatë si në 2005: Arrestime dhe investime

Kryeministri Sali Berisha nis nga qyteti i Delvinës, turin me slogan "Shqipëria në NATO", të paralajmëruar pak ditë më parë.

SHPRESA DINE

Në përfundim të një vizite dyditore në Sarandë, kreu i qeverisë është takuar të shtunën në mbrëmje me qytetarët e Delvinës, për të tretën herë brenda një viti. Pikat të cilat duket se do të paraqesë kryeministri Berisha në të gjithë turin e tij, afro një vit para zgjedhjeve parlamentare, do të jenë lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe investimet kryesisht në infrastrukturë. Ndërkohë, e vetmja e re e turit të Berishës, në krahasim me fushatën elektorale të vitit 2005, duket se është vizita e presidentit Bush në Shqipëri. Duke folur për luftën kundër krimit të organizuar Berisha u shpreh: "Ju jeni dëshmitarë se ku janë sot banditët dhe bosët e tyre, mbi 900 prej tyre janë përballur me drejtësinë, mbi 200 prej tyre janë ekstraduar nga vendet e Evropës, mbi 206 organizata kriminale u shkatërruan. Shqipëria është sot vendi me indekset e kriminalitetit ndër më të ulëtat në Evropë". Sipas tij, shqiptarët nuk janë një shoqëri që pajtohet me krimin e organizuar. Por një nga pikat të cilat pritet t'i mëshojë shumë kryeministri në këtë tur të sapunisur është ajo e investimeve. Sipas kreut të qeverisë, lufta ndaj korrupsionit ka bërë që këtë vit të investohen në rrugë 1.1 miliardë dollarë. "Vetëm këtë vit ne kemi investuar në rrugët e Shqipërisë, 89 miliardë lekë, 1.1 miliardë dollarë. Këto para ne i nxorëm duke luftuar informalitetin, korrupsionin, kontrabandën. Unë ndalem t'u them këtu, se nuk duhet kurrë që gjepurat t'u pengojmë ju, nuk duhet që askush të errësojë pamjen tonë dhe të na zhysë në pesimizëm", u shpreh më tej kryeministri Berisha. Sipas tij, Shqipëria tani është kthyer në një vend ku institucionet e huaja besojnë. Në këtë pikë të parë të turit të tij, kreu i ekzekutivit është ndalur edhe në rritjen e çmimeve. Berisha premtoi se, të gjithë buxhetorët dhe pensionistët do të kompensohen për këto rritje çmimesh. "Ka një rritje çmimesh, por duhet të keni besim të plotë se do të kompensojmë qindarkë më qindarkë. Unë mbetem njeri i fjalës së dhënë dhe kam porositur të llogarisin të gjithë rritjen në ushqime dhe e gjitha do të kompensohet", u shpreh më tej Berisha.

Berisha në Bruksel,PD nuk mbledh grupin
Udhëtimi i kryeministrit Berisha për në Bruksel, gjatë paradites së djeshme, ka shtyrë për një ditë tjetër mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në këtë mbledhje, e cila pritej të zhvillohej si çdo javë tjetër, sot në orën 13:00, një nga temat e diskutimit pritej të ishte edhe dekreti i presidentit Topi për të kthyer ligjin e Legalizimeve. Nga momenti i shpalljes së këtij dekreti, deputetët demokratë, por edhe kryeministri Berisha nuk e kanë prekur këtë çështje, duke mos pranuar ta komentojnë. Berisha u nis dje në mesditë për një vizitë dyditore në Bruksel. Në këtë vizitë kryeministri shoqërohet nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe nga ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha. Axhenda e kryeministrit përfshin takime me kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, me kryeministrin e Mbretërisë së Belgjikës, Ives Leterme. Gjithashtu, kryeministri do të ketë një takim dhe me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›