ARMO, amerikanët, pretendentët kryesorë për ta blerë
Kompania amerikane që ka dhënë ofertën më të lartë financiare për të blerë
shoqërinë shqiptare të naftës, ARMO, duket se është nga pretendentet kryesore për t’u bërë pronare e saj. Konsorciumi amerikan "Refinery Associates of Teksas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group", pjesëmarrëse në tenderin për blerjen e 85% të aksioneve shtetërore të ARMO-s, ka marrë pikët më të larta, 93.14 pikë, mes konkurrentëve të tjerë. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, bëri publik dje vlerësimin e ofertave që dhanë 4 kompani të huaja për privatizimin e 85% të aksioneve shtetërore të ARMO-s. Burimet zyrtare të METE-s në bazë të vlerësimit të Komisionit, bënë të ditur për median se në kualifikimin përfundimtar, kompania "Refinery Associates of Teksas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group" ka marrë 93.14 pikë. Ndërsa kompania "Vitol, Euroil sha , NFS Partners sa and USBCF Inc" ka marrë 69.49 pikë dhe kompania e tretë, "Petrofac Energy Developements International Limited" ka marrë 30.52 pikë. Sipas vendimit të qeverisë, të tre kandidatët janë kualifikuar në bazë të ofertave financiare dhe teknike. Kështu, për ofertën financiare "Refinery Associates of Teksas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group" ka marrë 75 pikë për ofertën që paraqiti në tender, me vlerë 125 milion euro. Kompania "Vitol, Euroil sha, NFS Partners sa and USBCF Inc" ka marrë vlerësimin prej 58.2 pikë për ofertën 97 milion euro, ndërsa kompania "Petrofac Energy Developements International Limited", ka marrë 17.46 pikë për ofertën 29.1 milion euro. Për vlerësimin teknik, kompania "Refinery Associates of Teksas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group", mori 18.16 pikë, kompania "Vitol, Euroil sha, NFS Partners sa and USBCF Inc" 11.29 pikë dhe "Petrofac Energy Developements International Limited", 13.06 pikë. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pasi shqyrtoi raportin e përgatitur nga konsulenti "Pattom Boggs" mbi dokumentacionin e ofertave që paraqitën kompanitë pjesëmarrëse në tenderin e zhvilluar në METE në datën 21 maj 2008, kreu vlerësimin tekniko-financiar me pikë, në mbështetje të kritereve të përcaktuara në VKM-në Nr. 82, datë 03.02.2008, i ndryshuar. Komisioni vendosi të kualifikojë ofertat e tre kandidatëve, pa pranuar asnjë nga kushtet paraprake të vendosura prej tyre, si "Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group", të "Vitol, Euroil sha , NFS Partners sa and USBCF Inc" dhe "Petrofac Energy Developements International Limited". Komisioni vlerësoi gjithashtu ofertën dhe skualifikimin e kandidatit "Penta Investmens Limited, Paraplynovy cyklus as, Bratislava and Duslo". Komisioni ka vendosur që të njoftohen kandidatët pjesëmarrës për klasifikimin tekniko-financiar, sipas vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Në bashkëpunim me konsulentin, do të hartohet dhe raporti përfundimtar për vlerësimin e ofertave të kualifikuara, që do t'i dërgohet për miratim Këshillit të Ministrave. Kundër këtij vendimi, kandidatët pjesëmarrës kanë të drejtë që brenda 5 ditëve nga marrja e njoftimit, të bëjnë ankimin tek ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.
Shoqata e Bankave: Bankat s’janë lavatriçe që pastrojnë para
Bankat e nivelit të dytë nuk janë lavartriçe që pastrojnë para. Ky deklarim vjen nga Shoqata e Bankave në Shqipëri, pas komenteve në media rreth të ashtuquajturit “skandal i bankave dhe OJQ-ve që shërbejnë si lavatriçe për pastrimin e parave të pista”, lidhur me paraqitjen në Kuvend të Raportit Vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) për vitin 2007. Shoqata Shqiptare e Bankave sqaron se komentet e sipërpërmendura përbëjnë një shtrembërim dhe keqinterpretim të qëllimshëm e dashakeq të fakteve dhe analizave të paraqitura në Raportin Vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) për vitin 2007. Në raport përmendet vetëm fakti që numri i Raportimeve të Aktiviteteve të Dyshimta (RAD), gjatë vitit 2007 arriti në 748 raste. Ky fakt dëshmon qartë për një punë tepër eficiente dhe intensive të bankave, në bashkëpunim me DPPPP-në, në kuadër të luftës kundër fenomenit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Shqipëri. Gjithashtu, ky raport nuk përmend asnjë rast të vetëm, ku një ose disa banka mund të jenë përfshirë në ndonjë transaksion pastrimi parash apo që ndonjë bankë të jetë paditur për diçka të tillë. Në këto kushte, nuk ekziston asnjë bazë për komente të tilla të papërgjegjshme e të pavërteta, që i etiketojnë bankat si “lavatriçe për pastrimin e parave”. Së fundi, Shoqata Shqiptare e Bankave bën thirrje për më shumë saktësi dhe profesionalizëm nga ana e mediave, lidhur me komente të tilla, për vetë natyrën dhe ndjeshmërinë që karakterizojnë çështje të tilla. Dëshirojmë të theksojmë se, bankat në Shqipëri kanë qenë dhe do të jenë gjithnjë në vijën e parë të përpjekjeve kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, pasi për autoritetet e zbatimit të ligjit në këtë fushë, ato përbëjnë burimin më të madh e më të rëndësishëm të informacionit.
Në shtator, ofertat financiare për OSSH-në
Ofertat financiare dhe teknike për të blerë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH në KESH do të paraqiten në muajin shtator). Të 4 kompanitë që morën pjesë në fazën e parakualifikimit për privatizimin e kompanisë "Operatori i Sistemit të Shpërndarjes" SH.A, do të vijojnë punën me paraqitjen e ofertave në fillim të muajit shtator. Zëdhënësja e shtypit e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Iva Tiço, bëri të ditur për median dje se pas shqyrtimit, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vlerësoi se të 4 kompanitë kishin paraqitur dokumentacionin në përputhje me kërkesat, ndaj u përcaktuan si "Ofertues i parakualifikuar". Në këtë mënyrë, katër kompanitë: "EVN" AG, "ENERGIE STEIERMARK" AG, "CEZ" a.s. dhe "ENEL" S.p.A., do të njoftohen nga ministri i METE-s, me ftesë zyrtare për të paraqitur ofertat e tyre për fazën konkurruese, e cila do të përfundojë në fillim të muajit shtator, 2008.
Në datën 2 qershor, në vazhdim të procedurave të tenderit ndërkombëtar për privatizimin e kompanisë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes SH.A (OSSH), për fazën e parë, parakualifikimin, në METE u dorëzuan 4 aplikime nga të katër kompanitë. "Ndërsa një aplikim parakualifikues që mbërriti në datën 3 qershor 2008, rreth orës 12:00, u deklarua si i vonuar nga ana e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në përputhje me Udhëzimet për Ofertuesit e Mundshëm", - tha Tiço. Gjatë javës, në përputhje me Udhëzimet për Ofertuesit e Mundshëm, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave shqyrtoi çdo aplikim parakualifikues, për të përcaktuar nëse ato ishin të plota dhe të rregullta. Kompanitë janë parakualifikuar për privatizimin e 51% deri në 76% të aksioneve të OSSH-së.