Maji ul çmimet 1 për qind, krahasuar me prillin
Çmimet e produkteve ushqimore kanë pësuar ulje gjatë muajit maj, krahasuar me muajin paraardhës. Sipas INSTAT-it, çmimet në maj kanë rënë disi, ndonëse në një përqindje të vogël, ato janë shitur më lirë se një muaj më parë. INSTAT-i bën me dije se Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin maj 2008 arriti 101.0 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007, duke shënuar një ulje prej 1.0 për qind, krahasuar me muajin e kaluar. Ndryshimi vjetor në muajin maj është 4.2 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.4 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një ulje prej 2.7 për qind, me një ndikim prej -1.0 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 19.6 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate, përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të kastravecëve me 50.9 për qind, domateve me 34.6 për qind, specave me 26.4 për qind, patëllxhanëve me 19.3 për qind, patateve me 11.0 për qind etj. Indeksi në nëngrupin “vajra dhe yndyra” shënoi një ulje prej 0.5 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të vajit të gatimit me 1.7 për qind. Edhe indeksi i nëngrupit “qumësht, djathë e vezë” shënoi një ulje prej 0.1 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të vezëve me 4.4 për qind. Gjatë muajit maj çmimet në nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve shënuan një rritje, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, “bukë e drithëra” 1.2 për qind, “peshk”, 0.1 për qind, “mish” 0.1 për qind “fruta” 0.1 për qind etj. Indeksi i grupit “veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.3 për qind, duke pasur një ndikim prej – 0.01 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Indeksi i nëngrupit ”transport” shënoi një rritje prej 1.9 për qind, duke pasur një ndikim prej 0.1 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Gjatë muajit maj çmimi i naftës shënoi një rritje prej 6.1 për qind, dhe çmimi i benzinës në rritje prej 4.3 për qind. Çmimet e transportit interurban gjatë këtij muaji u rritën me 2.3 për qind. Ndërsa ndryshimet në grupet e tjera variojnë nga - 0.2 për qind në - 0.1 për qind.