E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë kompani ofrojnë energji për gjysmën e dytë të vitit



Zhvillohet tenderi për të blerë energjinë gjysmën e dytë të vitit 2008. KESH-i organizoi dje tenderin për blerjen e energjisë elektrike për periudhën korrik- dhjetor 2008. Në ambientet e KESH-it u çelën dje ofertat e tenderit të blerjes së energjisë elektrike për periudhën e gjashtëmujorit të dytë të 2008-ës. Tenderi u zhvillua për të blerë një sasi të kërkuar prej 883 200 MWh e ndarë në 5 lote me një vlerë limit prej 77 089 210 euro. Shoqëritë që morën pjesë në tender janë “Rudnap” Serbi, “EGL” Zvicër, “EFT” Zvicër, “GEN-I” Beograd, “RE” Çeki, “GSA” Shqipëri, “CEZ” Serbi. Në lotin e parë u kërkua të blihet 150 MW, në lotin e dytë po ashtu u kërkua të blihet 150 MW, në lotin e tretë u kërkua nga KESH-i një sasi energjie prej 200 MW, në lotin e katërt u kërkua një sasi energji prej 300 MW dhe në lotin e pestë po ashtu u kërkua 200 MW. Çmimi më të cilin ofruan energjinë 7 kompanitë, mes tyre dhe një shqiptare, varion nga 77 euro minimalja dhe në 88 euro maksimalja. Çmimi më i ulët u ofrua nga kompania çeke “RE” dhe ajo serbe “Rudnap”. Çmimi më i lartë u ofrua nga kompania shqiptare “GSA” dhe po nga kompania çeke “RE”. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pasi të bëjë vlerësimin e tyre do të dalë në përfundimin se cila nga kompanitë do të përzgjidhet për të blerë energjinë për 6 muajt që vijnë, 3 nga të cilët janë muajt e dimrit dhe në vendin tonë rritet ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike. Tenderi parashikon që me blerjen e energjisë të garantojë furnizimin me energji për konsumatorët shqiptarë për 6 muajt në vazhdim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›