E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta kundër Ramës: “Mos ki frikë nga listat e hapura!”

Kryetari i LSI-së, akuza dy partive të mëdha për zvarritjen e reformës zgjedhore
Shaban Sulçe

Ilir Meta për herë të parë del publikisht kundër aleatit të tij Edi Rama, për çështjen e reformës zgjedhore. Këtë kundërshti Meta e ka shprehur pikërisht në një takim entuziast me të rinj në qytetin e Fierit, i cili konsiderohet bastion i LSI-së dhe ku pikërisht Rama e “sfidoi” dy muaj më parë, duke e zhvilluar mbledhjen e kryesisë së PS-së në një nga komunat e këtij rrethi, pikërisht në Libofshë. Në fakt, kundërvënia e liderit të LSI-së ndaj kreut të PS-së ka qenë për një çështje më madhore, siç është ajo e reformës zgjedhore. Meta fajësoi PS-në dhe PD-në si shkaktare të zvarritjes së reformës zgjedhore në Shqipëri. Kryetari i LSI-së u shpreh se forca politike që ai drejton nuk do të lejojë më trafikimin e votës në Shqipëri. “Ne nuk mund të lejojmë më që në Shqipëri të mos ketë zgjedhje të rregullta dhe demokratike, siç ka ndodhur prej 18 vjetësh. Ne jemi forcë politike, që nuk u bëmë pjesë e lojës së fëlliqur të mega-Dushkut apo të trafikimit të votës. Ne kërkojmë që në emër të së ardhmes, në emër të të gjithë shqiptarëve, një reformë zgjedhore të ndershme që të shenjtërojë votën e qytetarëve shqiptarë. Unë i ftoj të dyja partitë e tjera, PS dhe PD, që të jenë të kujdesshme në reformën zgjedhore, se nuk do të lejojmë më asnjë sistem monstër dhe të përçudnuar, që guxon të luajë dhe të deformojë votën dhe vullnetin e shqiptarëve”, - tha kryetari i LSI-së.
Listat
Në fjalën e tij, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është ndalur edhe në shigjetimin e kryetarit të PS-së Edi Rama, i cili ka insistuar për përdorimin e listave të mbyllura në zgjedhjet e ardhshme elektorale në Shqipëri. Meta tha se askush nuk duhet të ketë frikë nga listat e hapura, të cilat garantojnë konkurrencën elektorale. Kryetari i LSI-së tha se preferenca e Ramës, por edhe e Berishës, për listat e mbyllura bie ndesh edhe me parimin “një anëtar-një votë”, aplikimi i së cilës në PS ka qenë një prej pikave në të cilat Rama ka pretenduar reformimin e partisë që drejton. “Askush nuk duhet të ketë frikë nga listat e hapura, pasi listat e hapura garantojnë konkurrencën. Vetëm përmes një sistemi me lista të hapura ka kuptim parimi "një anëtar-një votë", që më së fundi edhe PS, edhe PD, kanë shprehur vullnetin për ta zbatuar”, - deklaroi Meta.
Takimi
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ishte dje në qytetin e Fierit, ku zhvilloi një takim mjaft entuziast me anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Rinore për Integrim në Fier.
Qindra të rinj dhe të reja nga Fieri kishin mbushur plot e përplot sallën e teatrit të qytetit, duke brohoritur me energji dhe entuziazëm në mbështetje të LSI-së dhe Ilir Metës. Në këtë takim, kryetari i LSI-së, Meta, ndodhej i shoqëruar edhe nga nënkryetari dhe deputeti i Fierit, Dritan Prifti. Në fjalën e tij në këtë takim, kryetari i LSI-së deklaroi: “Gjithnjë e më shumë shqiptarët dhe veçanërisht rinia shqiptare po mbështet LSI-në, pasi gjejnë te kjo forcë shpresën dhe garancinë për të ardhmen e tyre, gjejnë te kjo forcë solidaritetin që nuk e ka vetëm në program, por e ka në shpirt. Kundrejt kësaj përkrahjeje të madhe, LSI-ja do të jetë gjithnjë e hapur për të pritur të gjithë ata që duan të japin kontributin e tyre për zhvillimin e këtij vendi, për integrimin europian të tij”, - tha Meta. Duke e mbyllur fjalimin e tij përmes brohoritjeve dhe entuziazmit, lideri i LSI-së garantoi se Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë pronë e askujt, por vetëm e shqiptarëve dhe veçanërisht rinisë së këtij populli.

Listat e mbyllura

Nënkuptojnë renditjen paraprake dhe përfundimtare nga ana e subjektit partiak të emrave, të cilët kandidojnë në sistemin proporcional. Futja e tyre në parlament bëhet mbi bazën e përqindjes që merr partia në sistemin proporcional. Kjo listë dorëzohet nga subjekti në KQZ përpara zhvillimit të zgjedhjeve. Përdorimi i listave të mbyllura kritikohet pasi i jep fuqi kryetarit të partisë për të përzgjedhur kandidatët konkurrues në këto lista.

Listat e hapura

Subjektet partiake nuk i kanë të përcaktuara emrat e kandidatëve të tyre, të cilët do të futen në parlament me anë të sistemit proporcional. Listimi i tyre bëhet vetëm pas numërimit të votave dhe kandidatët renditen në listë mbi bazën e votave që kanë marrë në zonat ku kanë konkurruar (rasti kur ka maxhoritar) apo ku kanë mbuluar (rasti proporcional). Pas kësaj renditjeje dhe pas përqindjes në total që ka marrë subjekti në zgjedhje, përcaktohen emrat që do ta përfaqësojnë atë në parlament.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›