Bllokohet Komisioni për hetimin e përgjimeve ndaj deputetëve
Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili ka si objekt hetimin e përgjimeve të paligjshme ndaj deputetëve, ka ngecur në vend. Ndonëse ka disa muaj që ky komision është mbledhur, “de facto” ai nuk ka filluar punë ende. Kryetari i këtij komisioni, demokristiani Jak Ndokaj, bëri të ditur në mbledhjen e djeshme të komisionit se puna mund të konsiderohet e bllokuar. “Ende nuk na janë certifikuar tre ekspertë”, - tha Ndokaj. Kryetari u shpreh se ka kërkuar llogari nga institucionet mbi mospërgjigjet në kohë si dhe ka dërguar te kryetarja e Kuvendit një letër ku i kërkon një shtyrje të mëtejshme me disa muaj aktivitetit të komisionit. Kërkesa e kryetarit Ndokaj është pranuar njëzëri nga opozita, e cila u shpreh se puna është bllokuar qëllimisht. Zëvendëskryetari Stefan Çipa u shpreh se enigma e madhe nëse janë përgjuar joligjërisht deputetët nuk ka për t’u zbuluar për shkak se aktiviteti i komisionit po pengohet qëllimisht. Çipa u shpreh se ende prej disa muajsh institucionet në kundërshtim me ligjin nuk dërgojnë përgjigje dhe nuk japin llogari dhe ekspertët nuk janë certifikuar nga Kuvendi. Njëkohësisht, deputetët e opozitës kanë akuzuar edhe qeverinë për dërgimin e projektligjit për përgjimet e telekomunikacioneve, kur puna dhe konkluzionet e këtij komisioni nuk janë dhënë ende. Opozita ka kundërshtuar projektligjin e mësipërm duke e cilësuar si dublim kompetencash si dhe mundësi të pastër ligjore për të përgjuar mbi këdo, madje edhe politikën. Çështja kryesore që i ka shqetësuar anëtarët e Komisionit Hetimor për Përgjimet ka qenë ajo e përplasjes midis propozimeve për ligjin “Për Përgjimin e Telekomunikimeve” dhe ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Teksa Neni 8 i ligjit “Për përgjimet” parashikon dhënien e së drejtës për përgjim vetëm katër subjekteve, drejtorit të SHISH-it, ministrit të Brendshëm, ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Drejtësisë, të cilët duhet t’i bëjnë kërkesë prokurorit të Përgjithshëm, e drejta për të përgjuar pothuajse del “jashtë kontrollit” në Nenin 116 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Konkretisht, ky nen parashikon që të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, që kanë gradën “drejtues” ose më lart, sipas juridiksionit lëndor kanë të drejtën t’i bëjnë kërkesë prokurorit për përgjimin e fshehtë të bisedave të një personi në vende publike, si dhe përgjimin e fshehtë të bisedave telefonike ose telekomunikimeve të një personi në përputhje me legjislacionin përkatës.
20 Shkurt 2008