Firmoset zyrtarisht koalicioni i dytë i djathtë “Poli i lirisë”
Eljona Ballhysa
Është firmosur dje marrëveshja e krijimit të koalicionit të djathtë “Poli i lirisë”, me pjesëmarrjen e Partisë Demokristiane, Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe Partisë Bashkimi Demokrat. Në këtë koalicion mungonte Partia për Ligj e Drejtësi e Spartak Ngjelës, e cila ishte njoftuar kohë më parë se do të ishte pjesë e këtij koalicioni. Ngjela pritet t’i bashkohet më vonë “Polit të lirisë”, pasi të organizojë fillimisht degët e partisë në rrethe, ndërkohë që ky koalicion është i hapur për të bashkëpunuar me parti të tjera të djathta, apo të qendrës së djathtë. Ky është koalicioni i dytë i djathtë që merr pjesë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe përveç luftës politike që do të bëjë kundrejt së majtës, ky koalicion do të garojë dhe kundër Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj. Gjatë fjalës së mbajtur dje pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, u shpreh se qëllimi i këtij koalicioni është të sjellë një politikë të re, ndryshe nga ajo që kanë prodhuar dy partitë që kanë qeverisur vendin gjatë këtyre 18 viteve pluralizëm. Shehi nënkuptoi “luftën” politike që Poli i Lirisë i shpall edhe Partisë Demokratike.
Qëndrimi
“Krijimi i këtij koalicioni politik parazgjedhor vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, në një moment kur forcat e vjetra politike, që kanë qeverisur Shqipërinë këto tetëmbëdhjetë vjet, janë më të vjetra se kurrë dhe kur ne të gjithë së bashku duam të ndahemi nga ky cikël i lodhshëm tranzicioni”, - është shprehur Shehi, duke bërë përgjegjës për këtë situatë dy partitë e mëdha, PS-në dhe PD-në. “Dy partitë e vjetra, që kanë qeverisur vendin në këto vite, kanë dështuar në ndërtimin e shtetit ligjor, në ndërtimin e institucioneve të pavarura, në ndërtimin e një administrate shtetërore profesionale, të aftë dhe jopolitike, në zgjidhjen e çështjes së pronësisë, në integrimin dhe dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, në zhvillimin e një ekonomie tregu të lirë, që u garanton mirëqenie dhe jetesë të qëndrueshme qytetarëve, si dhe në shumë sektorë të tjerë jetikë, si edukimi, shëndetësia, punësimi, varfëria etj.”, - është shprehur Shehi në emër të Polit të Lirisë. Sipas tij, dy partitë e vjetra, për shkak të trashëgimisë së fortë komuniste, nuk arritën të ndërtojnë trupin dhe shpirtin e demokracisë. “Partitë e vjetra në këto tetëmbëdhjetë vjet krijuan demokracinë e kryetarëve të partive dhe të klaneve të tyre, demokracinë e ‘klaneve të Bllokut’, duke dhunuar dhe uzurpuar liritë tona politike dhe ekonomike, të ardhmen tonë europiane”, - është shprehur Shehi.
Angazhimi
Sipas tij, tani është momenti që të rinjtë, intelektualët, studentët dhe të gjithë ata që duan ta ndryshojnë Shqipërinë, të bashkohen dhe ta udhëheqin kombin drejt së ardhmes. “Tetëmbëdhjetë vjet pas lëvizjes së guximshme të studentëve të Universitetit të Tiranës, që njihet si Lëvizja e Dhjetorit ‘90, Shqipërisë i duhet një lëvizje tjetër e fuqishme dhe e guximshme për t’u shkëputur nga kjo kastë politike e dështuar që trashëguam nga regjimi i kaluar. Pikërisht për këtë është krijuar Poli i Lirisë, shtëpia e përbashkët politike për parti të djathta, të qendrës së djathtë dhe të qendrës, për reformatorët, intelektualët dhe individët e moderuar, që janë të shqetësuar për boshllëkun etik dhe politik mbi të cilin është i mbështetur sistemi i partive të vjetra politike”, -është shprehur Shehi. Poli i Lirisë është i angazhuar për një politikë konstruktive në rajon; për zgjidhjen në rrugë institucionale dhe ligjore të çështjes çame, për garantimin e të drejtave dhe lirive të pakicave. Partitë pjesëmarrëse të këtij koalicioni angazhohen për promovimin e vlerave të subjekteve politike, konkurrim të ndershëm midis partive konkurruese të koalicionit në përputhje me Kodin e ri Zgjedhor, fushatë zgjedhore qytetare të drejtë dhe konstruktive, një program të përbashkët politik me parimet e reformave kryesore, të domosdoshme për nxjerrjen e vendit nga kriza dhe përmbushjen e standardeve për integrimin e vendit në BE. Poli i Lirisë kërkon nga të gjithë aktorët, një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik, të drejtë dhe të ndershëm, që të përmbushë standardet e Bashkimit Europian, si dhe transparencë të plotë rreth financimit të fushatës për secilën parti apo koalicion.
19 Mars 2009