E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet në SHBA e nxjerrin të pastër ambasadorin Uidhers për aferat e municioneve

Mbyllen në Uashington hetimet për stafin e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Uidhers nuk ka fshehur informacione për shitjen e municioneve shqiptare

Pas 9 muajsh, strukturat hetimore amerikane kanë nxjerrë të pafajshëm përfaqësuesin diplomatik të Uashingtonit në Tiranë, Xhon Uidhers dhe pesë zyrtarë të tjerë të Ambasadës. Burimet zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit bënë të ditur dje se “Ambasadori Uidhers dhe ekipi i tij punuan saktësisht në atë mënyrë siç do të prisnim të punonin”. Pas mbylljes së dosjes ka reaguar edhe vetë zoti Uidhers, i cili, në një koment të shkurtër për mediat tha: “Jam i kënaqur që e vërteta tani është e qartë”.
Disa muaj pas tragjedisë së Gërdecit, pikërisht në qershor të 2008-s, gazeta amerikane “Los Angelos????????? Times” publikoi një shkrim, në të cilin thuhej se përfaqësuesi diplomatik i SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers, ishte i informuar se fishekë kinezë dërgoheshin nga Shqipëria në drejtim të Afganistanit. Madje mediat ngritën pretendime, duke iu referuar dëshmive të një ushtaraku amerikan me mision në Shqipëri, se zyrtarë të Ambasadës janë takuar në mbrëmjen e 19 nëntorit të vitit 2007 me ish-ministrin Fatmir Mediu, ku pretendohej se janë diskutuar disa shqetësime që vetë Mediu ka ngritur për një investigim të gazetës “The New York Times”.
Vendimi
Dosja në ngarkim të gjashtë zyrtarëve të Ambasadës Amerikane, përfshirë edhe ambasadorin Uidhers, tashmë është e mbyllur. Zëdhënësi në detyrë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Robert Ud, njoftoi dje se “Departamenti i Drejtësisë ka informuar Zyrën e inspektorit të Përgjithshëm që këta gjashtë punonjës të Departamentit të Shtetit në Ambasadën Amerikane në Tiranë nuk janë shënjestra apo subjekte hetimi”.
“Në qershor të vitit 2008, në media u shfaqën pretendime se ambasadori i SHBA-ve, Xhon Uidhers dhe pesë anëtarë të tjerë të ekipit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Shqipëri, në njëfarë mënyre ishin të përfshirë në përpjekje për të fshehur fakte lidhur me shitjen e municioneve me origjinë kineze për Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-ve, në shkelje të ligjeve të SHBA-ve”. Sipas deklaratës së Robert Ud, “në atë kohë çështja iu paraqit inspektorit të Përgjithshëm për shqyrtim”.
“Inspektori i Përgjithshëm ka shqyrtuar të gjitha faktet e vëna në dispozicion dhe nuk gjeti asgjë që mund të konfirmonte ndonjë pretendim penal apo të një lloji tjetër në lidhje me punonjësit e Departamentit të Shtetit”, - thuhet në këtë deklaratë. Ajo thotë se “ambasadori Uidhers dhe ekipi i tij punuan saktësisht në atë mënyrë siç do të prisnim të punonin”.
Reagimi
Bashkë me deklaratën e zëdhënësit të DASH-it, Ud, Ambasada Amerikane në Tiranë shpërndau dje pasdite një koment të zotit Uidhers. “Jam mirënjohës që Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Mbrojtjes tani i konsiderojnë pretendimet kundër meje dhe zyrtarëve të tjerë në Ambasadën në Tiranë të mbyllura”, - thotë ambasadori. “Siç thashë vitin e kaluar, një shqyrtim i drejtë i fakteve do të çojë, në fund, tek e vërteta”, - vijoi ai. Autoritetet amerikane nisën verifikimet e pretendimeve të mediave, por edhe të zyrave të tjera, për fshehje të të dhënave për shitjen e municioneve kineze nga Shqipëria, në drejtim të Afganistanit. Bashkë me zotin Uidhers, në hetim ishin edhe Stiven Kristina, zëvendësambasador, Patrik Leonard, Paula Thide, Viktor Majev dhe Robert Njusëm.
“Jam i kënaqur që e vërteta tani është e qartë dhe që këtyre zyrtarëve të shkëlqyer u janë njohur kontributet ndaj shërbimit të vendit tonë”, - thuhet në mbyllje të komentit të bërë nga zoti Uidhers.
Menjëherë pas publikimit të investigimit nga “The New York Times”, ku thuhej se Ushtria afgane furnizohej me municione kineze, të cilat bliheshin në Shqipëri, zyrtarë të Kongresit Amerikan ngritën një komision hetimor, të drejtuar nga Uoksman (Waxman). Komisioni arkivoi një sërë dokumentesh dhe thirri për të dëshmuar edhe ambasadorin Uidhers, pasi nga dëshmia e një ushtaraku amerikan me mision në Tiranë në media, dyshohej se ai ishte i informuar për aferat mes AEY-së dhe partnerit shqiptar në biznes për shitje të municioneve të skaduara. Tashmë hetimet në Uashington dhe në Florida janë drejt përfundimit, ndërsa në Shqipëri, dosja “Gërdeci” vetëm sa ka shkelur në dyert e gjykatës.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›