E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO, juristi Amerikan: Çmimi dalloi kompanitë

Tenderi për privatizimin e ARMO-s u zhvillua në mënyrë perfekte. Por ende nuk është përcaktuar se oferta e cilës kompani do të shpallet fituese. 

Fabiola Çela

Ekspertët e ministrisë janë duke vlerësuar edhe planin e investimeve që kanë paraqitur firmat, pasi përveç ofertës financiare, një vend shumë të rëndësishëm në përzgjedhjen e kompanisë fituese zë edhe plani i biznesit. Kështu është shprehur dje në një intervistë të dhënë për "Zërin e Amerikës", juristi Xhud Kerni, përfaqësues i kompanisë amerikane "Patton Boggs", i cili po këshillon autoritetet shqiptare për procedurat ligjore të shitjes së ARMO-s.
Tenderi
Privatizimi i kompanisë ARMO do të mbyllet brenda dy muajve. Sipas Kernit, ofertat për ARMO-n janë ende duke u shqyrtuar. Ato do të analizohen në detaje dhe më pas do të përgatitet një raport për Këshillin e Ministrave mbi përmbajtjen e tyre. Sipas tij, ofertat financiare ishin në nivele goxha të larta. "Dallimi mes dy kompanive që dhanë ofertat më të mëdha ishte një ndryshim i dukshëm midis çmimeve që ata dhanë. Ne nuk dimë se mbi ç'bazë llogaritjesh ata i kanë nxjerrë ato oferta, ndërsa ndryshimi midis planeve të biznesit për investime nuk është analizuar plotësisht dhe përcaktimi qartë do të dalë pas disa ditësh", tha Kerni. Ai thekson se kompania amerikane e konsulencës "Pattom Boggs" nuk është vendimmarrëse në këtë proces, ndonëse punon ngushtë me ARMO-n dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës, po ashtu me qeverinë për të strukturuar procesin e privatizimit si të tillë. "Ne kemi një rol në vazhdimësi të punojmë me ARMO-n dhe Ministrinë e Ekonomisë deri në shitjen përfundimtare të kompanisë, por jemi vetëm këshilltarë për çështjet ligjore", është shprehur ai në intervistën për "Zërin e Amerikës". Sipas tij, procesi ka qenë tërësisht transparent, i përpiktë dhe i ndershëm, ndonëse nuk ka ende një vendim për fituesin. "Ky është një proces i lavdërueshëm për rigorozitetin e ndjekur. Vlerësimi do të jetë pas disa ditësh, qeveria do të negociojë më pas për kontratën e shitjes dhe gjithçka mund të mbyllet brenda dy muajve të ardhshëm", tha Kerni. Përfaqësuesi i "Patton Boggs" thotë se, ARMO ka nevojë të ndryshojë teknologjinë dhe kapitalet, ndonëse vitet e fundit ka qenë me fitim. "Me modernizimin e ARMO-s kjo kompani mund të luajë një rol në tregun rajonal të karburanteve, gjë që mund të jetë shumë e rëndësishme për rajonin, por kjo do të jetë veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë", thotë Kerni.
ARMO
Privatizimi i kompanisë së përpunimit dhe shitjes së naftës është pjesë e një programi privatizimesh strategjike në ekonominë shqiptare, që përfshin ndër të tjera kompaninë e sigurimeve INSIG dhe Korporatën Elektroenergjetike. Kompania ARMO është krijuar në vitin 1999 dhe kapitali i saj arrin në vlerën e rreth 43 milionë eurove. Asetet kryesore të kompanisë janë dy impiante rafinerie në Ballsh dhe Fier, të cilat janë ndërtuar rreth 40 vjet më parë. Pjesë e saj janë edhe një numër pikash të tregtimit të vendosura kryesisht në zona jo shumë të zhvilluara. ARMO është njëra prej dy kompanive shtetërore të Shqipërisë që veprojnë në sektorin e naftës dhe nënprodukteve të saj. Nafta e prodhuar prej rafinerive në Ballsh dhe Fier është e një cilësie të dobët, por megjithatë vitet e fundit ARMO raportohet të sigurojë çdo vit në arkën e shtetit rreth 27 milionë dollarë.

ofertat e kompanive

Konsorciumi "Rafineri Asociated Anica Texas", "Mercuria Energy group Limited" dhe "Anika Enterprises SA"
125 milionë euro oferta
240.5 milionë euro investime për 4 vitet e ardhshme

"Petrofac Energy Development Corp"
30 milionë euro oferta
66 milionë euro vlera e investimeve për 4 vitet e ardhshme

"Penta Investment Group"
10 milionë euro vlera e ofertës
198.4 milionë euro vlera e investimeve për 4 vitet e ardhshme

Konsorciumi "Vitol, Us Balkan Funds, Euroil"
100 milionë euro vlera e ofertës
222 milionë euro vlera e investimeve për 4 vitet në vijim

“ARMO, të huajt besim te qeveria”

Kryeministri Berisha tha dje se rritja e vlerës për privatizimin e ARMO-s, tregon se bizneset e huaja kanë besim te qeveria shqiptare. Duke folur pas një aktiviteti në Ministrinë e Mjedisit, Berisha tha se, “në qoftë se ARMO arriti këtë kuotë, arriti për shkak të aksioneve të qeverisë, arriti për faktin se biznesi botëror i beson kryeministrit shqiptar, i beson qeverisë së tij. Kjo është e vërteta dhe unë garantoj në të gjitha proceset e tjera, transparencë të plotë, njëlloj si në këtë rast. Më vjen mirë që një pasuri publike e qytetarëve shqiptarë mori një kuotim kaq të lartë. Pra, është privatizimi i duarve të pastra”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, “ky është privatizimi i qeverisë me duar të pastra, i ndershëm, transparent, në një vlerë të trembëdhjetëfishtë, me një përpjekje të katër viteve më parë, por vërtet pajisjet dhe teknologjia kanë një vlerë, por vlerën më të madhe e ka besimi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›