E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta i ati i Fatos Nanos

 

Ferdinand Dervishi

Thanas Nano, i ati i ish-kryeministrit dhe ish-liderit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, është ndarë nga jeta pas një lëngate prej gati tre muajsh. Vitet e fundit ai jetonte më vete, në katin e nëntë të njërës prej dy kullave që gjenden përballë Parlamentit. Thanasi ishte i vitlindjes 1916 dhe jetoi 92 vjet, në dy sisteme, një jetë krejtësisht të vrullshme. Ish-partizan, menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë më 1944 ai ishte një nga themeluesit e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe më tej për një periudhë gati 20-vjeçare drejtues i radios dhe më tej edhe i televizionit të vetëm shqiptar. Për një kohë ka qenë gjithashtu edhe shef i Zyrës së Informacionit në Kryeministri, në kohën e Mehmet Shehut. Postdiktatura e gjen në moshë të thyer, porse jeta e vrullshme e të birit, të cilin viti 1991 e gjeti Kryeministër të vendit, dhe më tej arrestimi e burgosja, nuk e lejuan të gjente qetësinë e pensionistit. Për më tepër, ndërsa i biri i vetëm, Fatosi, ishte i burgosur në Bënçë të Tepelenës, Thanasi humbet të shoqen. Pas fitores së zgjedhjeve nga socialistët në vitin 1997, veç uljeve dhe ngritjeve të të birit disa herë në postin e kryeministrit, Thanas Nano duket përjetoi jo pa probleme edhe divorcin e Fatosit nga gruaja, Rexhina.
Te banesa e të ndjerit
Të parët njerëz që kanë ndihmuar të afërmit e Thanas Nanos për organizimin e ceremonisë mortore, kanë qenë truprojat dhe shoferi i Fatosit. Oficerët e Gardës kanë ndihmuar një motër të Fatosit që gjithçka të jetë gati për pritjen e njerëzve. Aty rreth orës 18:30 një autoambulancë solli arkivolin, ndërkohë që një polic rrugor mbante gjithë kohës të hapur rrugicën pranë kullës së parë që gjendet përballë Parlamentit. Fqinjët gjithashtu kanë dhënë ndihmën e tyre modeste, me qëllim që gjithçka të ishte gati për pritjen e njerëzve për ngushëllim. Të njëjtët thonë se Thanasi kishte rreth tri muaj me gjendje të rënduar shëndetësore, ose si thuhet ndryshe, kishte zënë shtratin. Ai prej gati pesë vitesh jetonte i vetëm në këtë banesë, ndërkohë që njëra nga vajzat i ka ndenjur më pranë. Sipas fqinjëve, Fatosi e vizitonte më rrallë, ndërsa për Rexhinën, gruan e parë të tij, thonë se nuk e kishin parë të vinte. Një grua e punësuar kujdesej për pastrimin dhe gatimin, ndërkohë që deri para tre muajsh dikush tjetër kujdesej t'i sillte shtypin e përditshëm.  
Nano kthehet nga Austria
Në mbrëmje, aty rreth orës 19:40, i pari mik i familjes që i është afruar banesës së Thanas Nanos ishte Gramoz Ruçi. Ai u takua fillimisht me shoferin dhe një nga shoqëruesit e Fatosit dhe nuk u nxitua të futej brenda, duket prej faktit se familjarët ende nuk ishin të përgatitur. Ndërkohë Fatos Nano, i gjendur në Vjenë të Austrisë për festimin e ditëlindjes së të shoqes, Xhoanës, është kthyer me urgjencë me avion në Rinas rreth orës 19:30. Ai ishte nisur për atje dy ditë më parë dhe, sipas miqve të tij, kishte prenotuar në një restorant të njohur. Pikërisht më 24 maj Xhoana Nano ka 35-vjetorin dhe duket çifti ishte përgatitur të festonte paksa më ndryshe.
Duke qenë se Thanas Nano për një kohë të gjatë ka qenë drejtues i Radio-Televizionit Shqiptar, ky institucion do të organizojë gjatë ditës së sotme, filluar nga ora 13:00, homazhe në hollin e tij. Varrimi është caktuar të bëhet në orën 16:00.

Karriera

I lindur në Nokovë të Gjirokastrës, më 23 mars 1916, Thanas Nano ka qenë që pas vitit 1944 një nga themeluesit e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH). Më tej ai ka qenë për gati 20 vite drejtues i Radios dhe Radio-Televizionit Shqiptar. Për një kohë ka qenë edhe shef i Zyrës së Informacionit në Kryeministri, në kohën kur Kryeministër
ishte Mehmet Shehu.

Ceremonia

Homazhet për Thanas Nanon do të bëhen gjatë ditës së sotme, filluar nga ora 13:00 në hollin e Televizionit Publik Shqiptar. Ato do të vazhdojnë deri në orën 16:00, kur është përcaktuar edhe ceremonia e varrimit.

Gramoz Ruçi
I pari mik i familjes Nano që erdhi për ngushëllim ishte Gramoz Ruçi. Një nga miqtë më të afërt të Fatos Nanos, Ruçi, me përkrahjen që i bëri kandidaturës së Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste pas zgjedhjeve të 2005, humbi shumë në miqësinë e përbashkët. Gjithsesi kjo nuk e ka penguar Ruçin, që jo vetëm të shkojë i pari për ngushëllim, por edhe të pyesë e të kujdeset që gjithçka të jetë gati për ceremoninë mortore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›