“Më kërcënoi ish-agjenti i SHIK-ut”
Ziso Kristopulli, dëshmitari kryesor i dosjes "Remzi Hoxha", i rrëmbyer bashkë me tregtarin e zhdukur nga Kosova, është kërcënuar pak ditë më parë. Autori i ngjarjes, sipas vetë Kristopullit, është një person i shoqëruar nga një ish-punonjës i Shërbimit Informativ në Ksamil. "Erdhën në lokal dhe më kërkuan t'u jepja drekë. U thashë se lokali ishte mbyllur, por mund t'u ofroja nga një birrë dhe u ulëm në tavolinë. Të shtunën, personi që shoqërohej nga ish-agjenti i SHIK-ut në Ksamil erdhi tek unë dhe më pyeti nëse e njihja. Iu përgjigja se e njihja, pasi kishim pirë një birrë së bashku, por ai filloi të më godiste. Dy ditë më parë kaloi para lokalit dhe më kërcënoi", është shprehur dje Ziso Kristopulli. Pak ditë më parë, Drejtoria e Policisë tha se nuk ka marrë prej Kristopullit asnjë denoncim për kanosje dhe asnjë kërkesë për ta marrë në mbrojtje.
Kanosja e Koldashit
Ndërkaq, Avni Koldashi, i akuzuar në procesin për zhdukjen e Remzi Hoxhës, do të thirret në Prokurorinë e Tiranës, ku do të japë shpjegime për kërcënimin që i është bërë pak kohë më parë. Disa prej institucioneve shtetërore pranuan dje se kanë marrë letrat e dërguara nga Koldashi për kërcënime në adresë të tij, ku ish-shefi i bazës së vëzhgimit në SHIK, pretendon se shkak është përfshirja e tij në dosjen "Remzi Hoxha". Vetë Koldashi nëpërmjet telefonit pohoi dje pasdite se kërcënimet kanë nisur prej rreth një viti, por ai refuzoi të jepte shpjegime, duke thënë se ua ka sqaruar gjithçka organeve shtetërore, të cilëve u ka kërkuar garanci. Burime nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë thanë dje se kanë marrë letrën e dërguar nga Koldashi dhe kanë filluar procedurat ligjore. Kjo zyrë ka vënë në dijeni prokurorinë dhe gjykatën, të cilët janë institucionet kompetente për të vendosur nëse Koldashi do të merret apo jo në mbrojtje. Sipas tyre, në letër, Koldashi ka dhënë pak informacione për kërcënimin e pretenduar, madje nuk ka treguar as rrethanat e tij. Ndërkohë burime nga organi i akuzës pohojnë se Koldashi do të thirret vetë për të dhënë shpjegime për mënyrën e denoncimit, personat, dialektin e përdorur, numrat e telefonit, përshkrimin e tyre etj. Pas kësaj pritet që të dyshuarit të kontrollohen në sistemin TIMS të policisë dhe nëse do jetë e nevojshme të zhvillohen kontrolle nëpër banesa dhe të merren në pyetje.
Hetimi
Ndërkohë dje, në bazë të letrës së Koldashit, Prokuroria ka nisur hetimin nën akuzën e "kanosjes së dëshmitarit". Të paktën një muaj më parë Koldashi iu drejtua Avokatit të Popullit, ku i kërkoi ndihmë. Një javë më parë në një intervistë të gjatë televizive, Koldashi akuzoi tërthorazi dy ish-shefat e tij, Arben Sefgjini dhe Ilir Kumbaro për zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt në tetor të vitit 1995. Koldashi pohoi se në cilësinë e ish-kreut të bazës së vëzhgimit të SHIK-ut në kryeqytet, në vitin 1995 kishte kryesuar në terren operacionin për rrëmbimin e Ziso Kristopullit dhe Remzi Hoxhës, nga të cilët të parin e kishte dorëzuar vetë në bazën e Vajinit të Lezhës, ndërsa të dytin ia kishte dorëzuar Kumbaros në Laprakë. Në intervistën televizive, Koldashi akuzoi për gjithçka kishte kryer ish-shefin e vet, Arben Sefgjini, duke pretenduar se kishte zbatuar vetëm urdhrat e këtij. Duke shpjeguar rrëmbimin e Kristopullit në Sarandë, Koldashi tha se kishte shkuar vetë në krye të grupit prej katër personash nga Tirana në Sarandë dhe e kishte marrë, siç pohoi vetë për "tërheqje për një bisedë operative". Aty ia kishte dorëzuar Sefgjinit, ndërsa gjithë operacioni sekret ishte ideuar dhe zbatuar sipas porosive të ish-shefit të tij, tashmë drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, i izoluar në arrest shtëpie. Koldashi tha se edhe me Remzi Hoxhën ishte vepruar në të njëjtën mënyrë. f.m
Meta: Berisha të shkarkojë menjëherë Sefgjinin
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka kërkuar nga Kryeministri Berisha të shkarkojë menjëherë të akuzuarin e çështjes Hoxha, Arben Sefgjini. "Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dua të denoncoj përsëri dhe më me forcë se më parë Kryeministrin Sali Berisha për mbështetjen e hapur që po i jep një të akuzuari për vrasje nga organet e drejtësisë, sikurse është një prej drejtorëve më të rëndësishëm të qeverisë së tij, Arben Sefgjini. Sefgjini jo vetëm që rezulton nga procesi gjyqësor gjithnjë e më i implikuar në rrëmbime të qytetarëve shqiptarë, në dhunime fizike të tyre, por njëkohësisht guxon të bëjë edhe shantazh mbi dëshmitarët dhe mbi organet e drejtësisë, duke qenë i sigurt pikërisht në mbështetjen pa kushte që i ofron Kryeministri Sali Berisha", tha Meta. Duke sjellë në vëmendje kronologjinë e ngjarjeve që kur ka rinisur procesi për zhdukjen e Remzi Hoxhës, Meta tha se, ato tregojnë se në këtë ngjarje është i implikuar dhe Kryeministri Berisha. "Mendoj se kërcënimet e fundit, të bëra publike ndaj familjes së prokurorit Xhevat Hana, apo kërcënimet e bëra ndaj dëshmitarëve në çështjen e qytetarit shqiptaro-maqedonas të zhdukur, Remzi Hoxha, ashtu sikurse edhe denoncimet e bëra publike nga qytetari i rrëmbyer me urdhër të Sefgjinit, Zizo Kristopulli, tregojnë shumë qartë se implikimi i Sali Berishës në mbrojtjen e këtij njeriu të akuzuar, jo vetëm nga Prokuroria, por edhe nga dëshmitarët e asaj periudhe të errët, kur njerëzit rrëmbeheshin nga Shërbimi Informativ, sikurse të rrëmbeheshin nga banda dhe keqtrajtoheshin në mënyrë ç'njerëzore nga 'Sefgjinët' me porosi të Berishës, tregon më së qarti se përgjegjësia e Sali Berishës sa vjen dhe rritet në një çështje që inkriminon shtetin e asaj kohe, dhe në radhë të parë atë që ka qenë në krye së të gjithë piramidës shtetërore, Sali Berishën", tha Meta. Kreu i LSI-së i rikërkoi Berishës shkarkimin e Sefgjinit, por njëkohësisht dhe lënien të qetë të organit të akuzës për t'i shkuar deri në fund të vërtetës. "Ndaj Sali Berisha duhet që të shkarkojë menjëherë Arben Sefgjinin. Njëkohësisht, dua të bëj të qartë se në rast se do të ketë probleme me familjet e prokurorëve, të gjyqtarëve, që me kurajo kanë nisur këtë proces apo ndaj dëshmitarëve në këtë çështje shumë të rëndësishme për të pastruar shtetin shqiptar nga një inkriminim i pushtetarëve të papërgjegjshëm të asaj kohe, Sali Berisha do të mbajë përgjegjësitë e tij, jo vetëm politike", tha Meta.
2 persona
janë denoncuar në polici nga Avni Koldashi. Sipas tij, përmes telefonatave, ata e kanë kërcënuar të akuzuarin për pjesëmarrje në rrëmbimin e Remzi Hoxhës
2 zyrtare
akuzoi Anvi Koldashi. Ai tha se Arben Sefgjini kishte urdhëruar rrëmbimin e Ziso Kristopillit dhe Remzi Hoxhës. Këtë të fundit e ka marrë Ilir Kumbaro në dorëzim
4 ish-punonjes
të Shërbimit Informativ akuzohen nga Prokuroria për rrëmbimin e Remzi Hoxhës. Ata janë: Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro në kërkim