E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO, mes Lindjes e Perëndimit

Ministria e Energjetikës do
të hapë sot ofertat për
shitjen e shoqërisë publike
të naftës, ARMO, privatizimi i
së cilës po shoqërohet me një debat,
që ka përfshirë edhe politikën.
Ministria e Energjetikës ka bërë të
ditur se dokumentet për tenderin
janë tërhequr nga 25 kompani të
huaja, të cilat kanë shfaqur interes
për blerjen e ARMO-s, ndonëse
vetëm dita e sotme do të zbulojë
se sa prej këtyre shoqërive janë
vërtet të interesuara për të blerë
gjigantin shqiptar të naftës. Por kjo
nuk është hera e parë që qeveria
tenton të shesë ARMO-n. Tre vjet
më parë, kur ishte në fundin e
mandatit të saj, qeveria socialiste
e Fatos Nanos, hodhi në tender për
të shitur kompaninë ARMO. Në atë
kohë përpara hapjes së ofertave
kishin shfaqur interes për të blerë
gjigantin shqiptar të naftës 5 shoqëri,
të gjitha të huaja. Por zyrtarisht
paraqitën ofertat për të blerë
ARMO-n vetëm dy prej tyre. Ishministri
i Ekonomisë së asaj kohe,
Anastas Angjeli, urdhëroi anulimin
e procesit për shkak se të dy ofertuesit
nuk plotësonin kriteret e
përcaktuara për privatizimin. Shuma
e ofruar nga dy shoqëritë ishte
qesharake. Njëra prej shoqërive
ofertuese, njihet mirë nga shqiptarët.
"Bankers Petroleum",
shoqëria që ka me koncesion
shfrytëzimin e vendburimit të Patos
Marinzës, ofroi në atë kohë për
blerjen e ARMO-s 5 milionë dollarë.
Lufta e ftohtë
Por sot, tre vjet më vonë tregu i
naftës ka pësuar ndryshime rrënjësore,
teksa çmimet për këtë
produkt janë tre deri 4-fishuar krahasuar
me atë kohë. Këto zhvillime
kanë bërë që qeveria të vendoset
në një presion të fortë për shkak të
tenderit delikat dhe interesave të
mëdha që ai përfshin. Shitja e
ARMO-s, më shumë se një transaksion,
duket se do të jetë vendim
gjeostrategjik i qeverisë. Kjo duket
edhe nga profilet e kompanive
pjesëmarrëse. Përveç disa shoqërive
të vendosura në rajon si ajo
greke "Helenik Petroleum" apo
kroatja INA, dominojnë shoqëri
me lidhje të forta, disa me lindjen
e veçanërisht Rusinë e të tjera të
vendosura në kontinentin amerikan.
Një prej tyre, kompania e
madhe amerikane "Refinery Assocation
of Texas" INC. Përfaqësuesit
e saj, në fillim të marsit të këtij
viti patën takim edhe me Kryeministrin
shqiptar, Sali Berisha, duke
shprehur interes për blerjen e shoqërisë
shqiptare të naftës. Kjo kompani
është zgjedhur shpesh nga
Departamenti i Mbrojtjes së Shteteve
të Bashkuara të Amerikës,
fituese e mjaft kontratave për të
furnizuar me karburant ushtrinë
amerikane dhe avionin presidencial,
US Air Force. Por ende pa u
mbyllur ofertat në media flitet se
një konkurrente me lidhje të forta
me Rusinë që ka shfaqur interes
është "Penta Investmens" një
grup çek dhe sllovak i themeluar
në vitin 1944 dhe që vepron kryesisht
në Evropën Qendrore. Kjo
kompani konfirmoi dje zyrtarisht
për gazetën "Shqip" se oferta e saj
për ARMO-n ka mbërritur tashmë
në Shqipëri. Është një kompani e
cila ka aktualisht 4 qendra. Prage,
Bratisllave, Varshavë dhe Moskë,
por që po zgjerohet nga viti në vit.
Përflitet se grupi në fjalë, është
edhe favorit në blerjen e aksioneve
të shoqërisë shtetërore ruse
të fluturimeve "Aeroflot" që pa
dyshim ka lidhje të forta me qeverinë.
Pjesëmarrja e grupeve të fuqishme
me karakteristika të tilla
ka tërhequr vëmendjen e ambasadës
amerikane në Tiranë, e cila
është shprehur se po ndjek me
vëmendje dhe nga afër privatizimin
e ARMO-s dhe pret nga
qeveria shqiptare që ky proces të
kryhet në mënyrë transparente.
Privatizimi i ARMO-s më shumë se
shitje është një proces i cili hynë
në planet gjeostrategjike evropiane,
ruse dhe amerikane për diversifikimin
e burimeve të energjisë.
Sot qeverisë, i duhet jo
thjesht të zgjedhë ofertën më të
mirë, por edhe tendencën jo
thjesht të investimeve të huaja,
por se kujt interesi gjeostrategjik,
Lindje apo Perëndim, do t‘i hapë
dritën jeshile të investimeve në
Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›