“ARMO”, një kompani serioze dhe pa pozita monopol
Përfshirja në debatet e fundit e kompanisë “ARMO”, e cila përfaqëson industrinë e vetme të përpunimit të naftës në vend, në vorbullën e së cilës fatkeqësisht është përfshirë dhe Autoritetit i Konkurrencës, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e dështuar për shkatërrimin përfundimtar të kësaj industrie, e cila përbën nga të paktat pasuri kombëtare të mbetura, me vlera të pallogaritshme për ekonominë shqiptare. Nuk ka tashmë as dhe një qytetar shqiptar i cili të mos kuptojë se kjo industri me teknologji të viteve 50 që nga krijimi i saj është shfrytëzuar maksimalisht dhe pa asnjë strategji për zhvillimin në standarde të teknologjisë bashkëkohore për shkak të kostos mjaft të lartë të këtij procesi.
Në këto kushte, kur kjo industri ishte drejt një procesi të sigurt degradimi, shkatërrimi i së cilës nuk do të prekte vetëm 1500 punonjësit e saj, bizneset e lidhura me të por drejtpërdrejtë dhe industrinë e nxjerrjes së naftës me rreth 5000 punonjës, e cila është e lidhur pazgjidhshmërisht jo vetëm nga sistemi i ciklit të mbyllur, për shkak jo vetëm të infrastrukturës ekzistuese por dhe për cilësinë e saj të dobët, procesi i privatizimit mund të konsiderohet në mënyrë të padiskutueshme kamerdare shpëtimi për ekzistencën e kësaj industrie dhe shmangie e një situate katastrofale me humbje masive të vendeve të punës, e cila nuk do ti shpëtonte dot një reaksioni zinxhir në të gjitha bizneset e lidhura me të. Por, në antitezë me këtë fotografi të zymtë, konsorciumi “ANIKA ENTERPRISES, RAFINERY OF TEXAS & MERCURIA ENERGY GROUP” menjëherë me pagesën e kryer nga ana e saj në datën 27 nëntor, të shumës prej 128,7 milionë eurosh, pa marrë akoma në dorëzim asetet e kompanisë, kreu aktin e saj të parë duke zyrtarizuar rritjen e pagës për punonjësit e kompanisë me 30 për qind duke filluar nga 1 dhjetori i vitit 2008 si dhe u shpërndau punonjësve nga dy paga shpërblim. Vlen të përmendet që në kushtet e një krize financiare botërore ku po rrezikojnë falimentin industri serioze në vende shumë të zhvilluara, qeveritë e tyre po aplikojnë një sërë paketash ndihmëse për t’u ardhur në ndihmë këtyre industrive për shkak të situatave tejet të rrezikshme që mund të krijohen duke shkaktuar rënie ekonomike dhe papunësi masive. Ndërkohë, kompania “ARMO” jo vetëm që nuk ka asnjë ndihmë nga qeveria shqiptare, por me gjithë vështirësitë e jashtëzakonshme, ajo vazhdon të paguajë me rregullsi dhe në mënyrë të pandryshueshme të gjitha detyrimet ndaj shtetit, sikurse ka operuar dhe përpara privatizimit. Kompania “ARMO” deklaron me përgjegjësi se është e hapur dhe bashkëpunuese me të gjitha subjektet tregtare të karburanteve, pa kryer asnjë diferencim, duke shmangur çdo insinuatë për krijimin e bizneseve preferenciale pra dhe të një situate monopol. Periudha njëvjeçare e lënë në dispozicion nga qeveria shqiptare për të kryer ndërhyrjet e nevojshme për ndryshimin e teknologjisë së prodhimit të gazoilit, megjithëse është e pamjaftueshme, do të kryhet brenda kësaj periudhe, siç është dhe e përcaktuar në kontratën e privatizimit të saj.
9 Janar 2009