E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare, sektori privat thellon diferencën e pagave me sektorin shtetëror



Ervin Koçi

Kriza financiare globale ka dhënë pasojat e saj të para në ekonominë e vendit, duke mos kursyer sektorin privat që ka nisur të ndjejë nevojat e para të mungesës së likuiditetit. Këtë gjë e tregon më mirë se çdo gjë edhe thellimi i diferencës së pagave midis këtij sektori dhe atij shtetëror ku në këtë të fundit ndryshimet shihen dhe janë mjaft të shpejta. Pagat mesatare të sektorit privat në Shqipëri janë 34 për qind më të ulëta sesa ato të sektorit shtetëror dhe kjo diferencë është thelluar dy vitet e fundit, pasi në vitin 2006 ishte 19 për qind. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se pagat mesatare në sektorin privat kanë mbetur në vend që prej disa kohësh dhe kjo për shkak të pafuqisë së biznesit. Të dhënat tregojnë se mbi 45 për qind e kredive të biznesit kanë shkuar për likuiditete, gjë që e bën më bindës këtë argumentim. Në anën tjetër, qeveria shqiptare ka rritur pagat në sektorin shtetëror çdo vit duke u nisur edhe nga të ardhurat që ajo ka mbledhur.

Rritja e pagave

Numri i punonjësve të sektorit shtetëror është mbi 100 mijë syresh, ndërkohë që në sektorin privat jobujqësor punojnë më shumë se 450 mijë punonjës, të cilët vazhdojnë të jenë me pagat e mëparshme. Rritja e të ardhurave në buxhetin e qeverisë nuk është shoqëruar assesi me rritjen e fuqisë së biznesit për të rritur pagat e punonjësve e as me fuqinë e biznesit për të rritur numrin e të punësuarve. Duhet thënë se numri i të punësuarve sipas të dhënave është vetëm 0,1 për qind më i lartë se dy vjet më parë ose rreth 4 mijë syresh. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkuan qeverisë që të mos rrisë pagat e sektorit shtetëror disa muaj më parë me motivin e kompensimit të çmimeve të larta, pasi nuk ishte kjo kategori punonjësish që ishte prekur më shumë nga inflacioni dhe çmimet, por ishin punonjësit e sektorit privat ose të papunët ata që duhet të ndihmoheshin. Qeveria, megjithatë, rriti pagat në sektorin publik dhe nuk mori asnjë masë për shtresat e tjera.

Sektori privat

Aktualisht punonjësit e sektorit privat duhet të llogarisin të përballojnë jetesën me paga 34 për qind më të ulëta, sesa ato të sektorit shtetëror. Duhet thënë se në sektorin privat mund të ketë kategori pagash më të larta sesa në atë shtetëror, por gjithashtu edhe paga shumë të ulëta dhe mesatarja e tyre është 34 për qind me e ulët, sesa mesatarja e pagave të sektorit shtetëror. Duke qenë se sektori shtetëror është rreth 4 herë më i vogël se sektori privat, sa i takon numrit të punonjësve, është e padrejtë që qeveria bën këtë ndarje dhe nuk merr parasysh faktin që biznesi ka fuqi të kufizuar për të rritur pagat e tij. Asnjë masë fiskale nuk është ndërmarrë në mënyrë që biznesi të japë paga më të mëdha.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›