E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shamku: “Arsimtarët janë tallur dhe mashtruar nga qeveria”



Partia Socialiste shpreh shqetësimin për braktisjen gjithnjë e në rritje që po i bëhet profesionit të arsimtarit. Shkak për këtë, sipas selisë rozë, janë rrogat modeste dhe premtimet e pambajtura nga qeveria për të trajtuar me mënyrën e duhur kategorinë e mësuesve në vend. Anëtarja e Kryesisë së PS-së, Ledi Shamku, tha se arsimtarët janë ndjerë të tallur e të mashtruar nga qeverisja aktuale dhe se tashmë ky profesion po braktiset nga të rinjtë. “Mjaft më me demagogji! Shqiptarëve u duhet thënë përditë e vërteta. Ajo e vërtetë që kryeministri i vendit nuk e tha kurrë këto katër vjet: Në këtë vend askush nuk dëshiron më të bëhet mësues! Kjo forcë shkatërrimtare qeverisëse e vrau këtë profesion, vrau dëshirën e të rinjve dhe të rejave shqiptare për t'u bërë edukatorë brezash. Pasi arsimtarët u ndjenë të tallur e të mashtruar gjithë këto katër vjet, me premtime për dyfishime pagash apo për status të veçantë, pasi u përbuzën e u përdorën si vegla pa vlerë të ca eksperimenteve të dështuara, sot të rinjtë tanë mund të zgjedhin të bëhen shoferë apo tregtarë, por jo mësues! Sot ky profesion në braktisje është në krizën e vet më të thellë, të panjohur kurrë më parë. Për ne shkolla është mësuesi, nuk janë tullat, as bankat e as dokrrat mbi kompjuterët e moshës së internetit, ato janë aksesorë të shkollës. Rivendosja e dinjitetit dhe autoritetit të arsimtarit në shkollë dhe krejt shoqërinë është komponent i sfidës sonë në fushë të edukimit. Dhe ky dinjitet do të thotë kualifikim, shpërblim dhe status”, - tha Shamku.

Baraj: “Qeveria mashtroi për zgjidhjen e problemit të energjisë”

Partia Socialiste reagon pas rikthimit sërish të ndërprerjeve të furnizimit me energji elektrike. Sekretari për çështjet mjedisore në selinë rozë, Besnik Baraj, tha se qeveria “Berisha” nuk e mbajti premtimin e saj për t’u garantuar shqiptarëve furnizim 24 orë më drita. Baraj theksoi se shqiptarët vuajnë mungesën e dritave si rezultat i keqqeverisjes, paaftësisë dhe korrupsionit të qeverisë aktuale. “Katër vjet më parë Sali Berisha mori votat me premtimin se do të çonte në çdo shtëpi 24 orë drita. Pesë muaj e gjysmë nga sot Sali Berisha do të largohet nga qeveria duke e lënë të pazgjidhur problemin kanceroz të energjisë elektrike. Kur mbeten vetëm 5 muaj e gjysmë nga përfundimi i një mandati të plotë qeverisës, Tirana dhe e gjithë Shqipëria vijojnë të dëgjojnë përrallën e ndërprerjeve të energjisë për shkak defektesh teknike, ndërkohë që në fakt vijojnë të vuajnë defektin e pakorrigjueshëm të keqqeverisjes, paaftësinë për të zgjidhur probleme reale dhe sëmundjen e pashërueshme të kësaj qeverie, korrupsionin që e ka kthyer në gropë të zezë sektorin energjetik shqiptar”, - tha Baraj. Ai theksoi se në qeverisjen “Berisha”, shqiptarët kanë trashëguar korrupsionin në sektorin energjetik.
“Kur mbeten vetëm 5 muaj e gjysmë nga përfundimi i një mandati të plotë qeverisës, qytetarët e këtij vendi po jetojnë përmes shumë mundimesh të shkaktuara nga keqqeverisja fundin e qeverisë me gënjeshtarë të historisë së politikës së vjetër të tranzicionit shqiptar, e cila premtoi 24 orë drita dhe në errësirën e trashëguar vetëm sa thelloi korrupsionin në sektorin energjetik”, - përfundoi ai.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›