E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza e gazit Rusi-Ukrainë shtrenjton çmimin edhe në Shqipëri



Pasojat e para nga konflikti Rusi-Ukrainë sa i përket çmimit të gazit të lëngshëm që kanë prekur Europën, kanë sjellë pasojat e para edhe në Shqipëri. Një pjesë e gazit të lëngshëm që përdoret për konsum të gjerë ka mbërritur në Shqipëri përmes Greqisë me një çmim prej 540 dollarësh për ton, ose 100 dollarë më shtrenjtë se një javë më parë. Importuesit më të mëdhenj të gazit të lëngshëm GLN, i cili përdoret për nevoja shtëpiake, janë shprehur për gazetën se pakësimi i gazit natyror si pasojë e konfliktit Rusi-Ukrainë ka sjellë rritje të kërkesës duke reflektuar te bursat rritje të çmimit. Në tregun shqiptar të gazit të lëngshëm, mesatarisht çdo muaj importohen rreth 6 mijë tonë gaz GLN, i cili blihet kryesisht në Greqi, Itali, Kroaci etj. Në muajt e mëparshëm, çmimi i gazit të lëngshëm ishte rreth 350 dollarë, ndërsa në fund të 2008-s shkoi në rreth 440 dollarë. Me ndezjen e konfliktit Rusi-Ukrainë, situata po shkon për keq në drejtim të uljes së ofertës, duke rritur direkt çmimin që sot shkon në rreth 550 dollarë për tonë. Sa i takon tregut vendas, një bombol prej 10 litrash gaz kushton rreth 1200 lekë, kur më parë shitej me 900, ose 1 mijë lekë. Me afrimin e dimrit dhe mungesën e dritave, konsumi i gazit rritet më shumë. Mesatarisht, në çdo fillim viti, gazi që përdoret për nevoja shtëpiake është rritur me 10 lekë për litër, ndërsa tani në 2009-n pritet një rritje edhe më e madhe. Këtë vit edhe çmimi i druve të zjarrit është rritur nga 20-30 për qind, duke e krahasuar me vitin e kaluar. Sipas INSTAT-it indeksi i grupit "qira ujë lëndë djegëse dhe energji" shënoi një rritje prej 0.4 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit te druve të zjarrit me 3.0 për qind dhe gazit të lëngshëm me 0.4 për qind.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›