E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: “Festat rritën nivelin e inflacionit me 0.9 për qind”



Instituti i Statistikave ka deklaruar dje se gjatë muajit të kaluar (dhjetor 2008), ka pasur një nivel më të lartë të inflacionit, i cili ka pësuar një rritje të konsiderueshme gjatë vitit që mbyllëm. Inflacioni ka pësuar rritje gjatë muajit të fundit për shkak të shtrenjtimit të çmimeve në periudhën e festave. INSTAT-i deklaroi se gjatë muajit të kaluar, Indeksi i Çmimeve të Konsumit arriti 102.2 për qind, inflacioni arriti në 2.2 për qind duke shënuar një rritje prej 0.9 për qind në krahasim me muajin nëntor 2008. Kryesisht, mallrat që kanë ndikuar në rritjen e vrullshme të inflacionit në këtë periudhë të vitit, ka qenë kryesisht ndikimi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike”, të cilat kanë shënuar një rritje prej 2.4 për qind. Rritje ka pësuar edhe grupi ”Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, ndërsa indeksi i grupit ”Transport” shënoi një ulje prej 2.9 përqindësh. Ngritja e më e madhe vërehet në grupin "zarzavate, përfshirë patatet" me rreth 14.2 për qind. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të trangujve, specave dhe patëllxhanëve me mbi 50 për qind, lulelakrës me 22.0 për qind, domateve me 20.6 për qind etj. Referuar të dhënave, indeksi në nëngrupin "fruta" shënoi një rritje prej 7.5 për qind, ku përmendim rritjen e çmimit të bananeve me 5.7 për qind, dardhave me 4.9 për qind, mollëve me 4.9 për qind, kivit me 3.6 për qind. Ndërsa çmimet e disa frutave të tjera pësuan ulje gjatë muajit dhjetor, ku mund të përmendim uljet e çmimit të portokalleve me 2.8 për qind, limonëve me 1.6 për qind, mandarinave me 0.5 për qind etj. Gjatë dhjetorit çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, "peshk" 0.5 për qind, "mish" 1.4 për qind, "qumësht djathë e vezë" 0.4 për qind, "pije joalkoolike" 0.1 për qind etj. Po sipas INSTAT-it, indeksi i grupit "pije alkoolike dhe duhan" shënoi një rritje prej 0.8 për qind, brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike u rriten me 1.6 për qind. Në muajin dhjetor edhe grupi "veshje dhe këpucë" shënoi një rritje prej 0.1 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të këpucëve për fëmijë me 0.9 për qind dhe veshjeve për fëmijë me 0.5 për qind. INSTAT-i deklaron se rënia e çmimit të naftës duke nisur që nga muaji gusht po pëson një rënie të ndjeshme. Edhe gjatë muajit dhjetor çmimi i naftës është ulur me 11.6 për qind ndërsa i benzinës ka pësuar ulje me 12.4 për qind.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›