Topi përshëndet Kuvendin e Kosovës: “Pavarësia duhet të njihet dhe nga Serbia”
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, gjatë ditës së parë të vizitës së tij në shtetin e ri të Kosovës, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Gjatë fjalës së tij kreu i shtetit shqiptar ka përshëndetur njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të botës si dhe ka deklaruar se ky proces duhet të mbështetet edhe nga Serbia për të kontribuar në bashkëjetesën ndëretnike. “Do të kishim dëshirë të madhe që kjo frymë integrimi të mbështetej edhe nga vendet e tjera fqinje të Kosovës, sidomos nga Serbia, e cila, në fakt, duhet të interesohet për minoritetin serb në Kosovë, duke bashkëpunuar me institucionet e ligjshme të këtij shteti sovran dhe të pavarur, si për të rimëkëmbur besimin reciprok të bashkëjetesës ndëretnike, ashtu edhe për t’i nxitur ata të gëzojnë të drejtat politike, ekonomike e sociale, që ua garanton Kushtetuta e Kosovës”, - është shprehur presidenti Topi. Sipas tij, garantimi i të drejtave të minoriteteve do t’u japë fund incidenteve të dhunshme, të grupeve të ndryshme, interesi i të cilave është të zgjojnë ëndrra të segmenteve nacionaliste. “Respektimi dhe garantimi i të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve është parim universal. Ai duhet të jetë njëlloj i zbatuar sa në Shqipëri, aq edhe në Kosovë apo në Serbi, si në qendër të Shqipërisë, aq edhe në veri të Kosovës apo në Luginën e Preshevës.
Unë besoj se vullneti i palëkundur i autoriteteve të Kosovës, qëllimi e përgjegjësia e misionit bashkëpunues EULEX me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e KFOR-it nuk do të lejojnë që incidentet e dhunshme, të cilat jo vetëm mbjellin frikë e mosbesim në Mitrovicë, por edhe zgjojnë ëndrra të segmenteve të inkriminuara nacionaliste ballkanike, të sfidojnë qëllimet e larta të sovranitetit, të integrimit e të sigurisë jo vetëm të Republikës së Kosovës, por edhe të rajonit tonë”, - është shprehur Topi.
Duke e përqendruar fjalimin në pavarësinë e Kosovës, presidenti Topi tha se njohja e saj është realizimi i një ëndrre shekullore të shqiptarëve, por dhe korrigjimi i një të drejte historike. “Historia, më në fund, vendosi drejtësi, sepse përmbushi një vullnet, një aspiratë apo një ëndërr shekullore të një populli të shtypur; ajo shpërbleu shumë mund, djersë, gjak, dhimbje dhe sakrifica sublime; ajo nderoi shpirtin e një populli për të mos u përulur, revoltën e studentëve, luftën çlirimtare të Kosovës dhe ushtrinë e saj, përpjekjet e liderit politik, presidentit të ndjerë, dr. Rugovës, veprën heroike të Adem Jasharit dhe të të gjithë dëshmorëve të rënë për të vendosur drejtësi. Por kjo fitore është vetëm përfundimi me sukses i një beteje të gjatë, lufta dhe sfida sapo ka filluar, ajo është thirrja për të ndërtuar paqen e mirëqenien e qëndrueshme dhe të ardhmen e sigurt të brezave”, - është shprehur Topi. Ai tha se fakti që Kosovën e kanë njohur deri tani 53 vende me peshë në arenën ndërkombëtare e shtete të tjera pritet ta njohin së shpejti, është argumenti i pakundërshtueshëm se ky proces është sa i ligjshëm, aq edhe i pakthyeshëm.
Presidenti shqiptar lë nënshkrimin në përkujtimoren “New Born”
Përkujtimorja “New Born” ka qenë ndalesa e parë për presidentin Topi me mbërritjen e tij në Prishtinë. Në këtë pikë simbolike të ditës së madhe historike të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, presidenti Topi është ndalur për disa momente dhe ka lënë nënshkrimin e tij në njërën prej germave duke shkruar emrin e tij. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, presidenti Topi do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneral Emilio Gay dhe drejtues të partive politike e minoriteteve në Kosovë. Më tej presidenti Topi do të vizitojë Bashkinë e Prishtinës dhe Kuvendin komunal në Ferizaj, Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës dhe Muzeun e Kosovës. I shoqëruar nga presidenti Sejdiu, presidenti Topi do zhvillojë një takim pune me përfaqësues të biznesit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës.
9 Janar 2009