Shqipëria dhe Kosova, zonë e përbashkët “Shengen”
Eljona Ballhysa
Gjatë tremujorit të parë të këtij viti Shqipëria dhe Kosova do të nënshkruajnë marrëveshjen e lëvizjes së lirë, duke krijuar një zonë “Shengen” midis dy shteteve. Këtë e ka bërë të ditur Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të mbajtur në Prishtinë me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Gjatë ditës së parë të vizitës zyrtare në Kosovë, presidenti Topi ka zhvilluar një sërë takimesh të nivelit të lartë, ku theksin e ka vënë në bashkëpunimin midis dy vendeve, mbështetjen për proceset integruese, thellimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga sa më shumë vende të botës, si dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare. Ndërsa presidenti Sejdiu, duke mbështetur idenë e presidentit Topi për një zonë “Shengen” midis dy vendeve, shtoi se do të ishte mirë që të krijohej një “mini-Shengen” i vendeve të Europës Juglindore.
Bashkëpunimi
Presidenti shqiptar, Bamir Topi, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën për shtyp, tha se Shqipëria dhe institucionet e saj do të vazhdojnë të ndërtojnë marrëdhënie intensive në planin politik, institucional dhe ekonomik me Kosovën. Ai tha se përfundimi i rrugës që lidh Durrësin me Prishtinën e me Vardrin do të jetë një tjetër mundësi e madhe për njerëzit që të lëvizin të lirë. “Edhe nënshkrimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë të qytetarëve, që do të realizohet brenda tremujorit të parë, do të japë mundësi të mëdha që të ketë një komunikim natyral”, - është shprehur Topi. Më tej ai vuri theksin në domosdoshmërinë e respektimit të minoriteteve nga institucionet e Kosovës, si kusht për stabilitetin jo vetëm të shtetit të ri të Kosovës, por edhe të rajonit. “Unë jam i bindur që Kosova, të gjitha institucionet e saj, do të dinë të respektojnë të drejtat e pakicave mbi bazat e multi-etnicitetit. Dhe pa dyshim, e thashë edhe në takimin që patëm së bashku, zoti president, çështja e respektimit të minoriteteve është një çështje që u takon të gjithëve. Sikurse institucionet e Europës, Këshilli i Europës, institucionet më prestigjioze ndërkombëtare kërkojnë që standardet për të drejtat e minoritetit duhet të respektohen, ato duhet të respektohen në Shqipëri, duhet të respektohen në Kosovë, duhet të respektohen edhe në Preshevë. Pra çështja e respektimit duhet të jetë mbi bazën e një vullneti politik për t’i respektuar sipas standardeve”, - është shprehur Topi. Presidenti shqiptar lëshoi dhe një thirrje që për komunitetin serb që të bashkëpunojë me shtetin e pavarur të Kosovës. “Kështu që ata që mundohen të japin leksione, ndërkohë që krijojnë situata të vështira, duhet të jenë të parët që të bashkëpunojnë me shtetin legjitim, të pavarur, demokratik dhe sovran të Kosovës dhe të bashkëpunojnë për respektimin e të gjitha standardeve”, - është shprehur Topi. Gjatë fjalës së tij Topi përshëndeti lidershipin e Kosovës për konsolidimin e institucioneve, ndërsa shtoi se Kosova i ka të gjitha kapacitetet shtetformuese dhe shumë shpejt do të jetë një partnere e denjë dhe e pandarë e rrugës së përbashkët, për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO.
Gjatë bisedës, kryetari i shtetit shprehu qëndrimin se Shqipëria mbështet shtrirjen së misionit EULEX në të gjithë territorin e Kosovës, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e vendit, në zbatim të planit “Ahtisari”.
Falënderimet
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nga ana e tij shprehu falënderimet më të thella të institucioneve të Kosovës dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen që Republika e Shqipërisë ka dhënë për Kosovën. Ai gjithashtu shprehu kënaqësinë për arritjet e shtetit shqiptar, marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, duke theksuar se zhvillimi i Shqipërisë ndikon pozitivisht dhe në ecjen përpara të Kosovës. “Ne na gëzon fakti që Republika e Shqipërisë ka një ekspansion dhe pasoja në zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin demokratik që shprehet më së miri me punën e përbashkët të institucioneve në këtë kuadër qëndrimi i përbashkët i të gjithëve për mbështetjen e Kosovës. Na gëzon po ashtu edhe fakti i rëndësishëm që Republika e Shqipërisë, në pranverën e këtij viti të mbarë që jemi, pas 2008-s, që ishte vit historik për Kosovën dhe për shqiptarët, natyrisht që do të jetë anëtare e NATO-s dhe të shkurtojë e të shpejtojë hapat e saj të integrimit në Bashkimin Europian. Për ne është shumë e rëndësishme të nënvizojnë gjithë mbështetjen që ka dhënë me rrjetin e saj diplomatik në botë për njohjen e Republikës së Kosovës”, - është shprehur Presidenti i Kosovës, Sejdiu.
9 Janar 2009