ARMO, objektet dhe aksionet që do të shpallen nesër për privatizim
Ervin Koçi
Nesër, në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, do të çelet tenderi ndërkombëtar për blerjen e 85 për qind të aksioneve të kompanisë shqiptare publike të përpunimit të naftës, “ARMO”. Në këtë tender do të hapen ofertat e kompanive që janë interesuar për të blerë këtë paketë aksionesh shtetërore. Sipas informacioneve të METE-s, interesimi i kompanive të huaja për të blerë aksionet e kompanisë shqiptare të naftës, “ARMO”, ka qenë mjaft i madh, nisur edhe nga kriza që po karakterizon tregjet botërore të naftës, si pasojë e rritjes së kërkesës dhe çmimit të naftës. Ministria e Ekonomisë publikoi në muajin shkurt 2008 shpalljen e tenderit të hapur ndërkombëtar për privatizimin e aksioneve të kompanisë publike “ARMO” në disa gazeta ndërkombëtare si "Financial Times", "Wall Street Journal", në revistën "Hydrocarbons Processing", në faqen e internetit të METE-s, si dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike. Konsulenca për privatizimin e kësaj kompanie është drejtuar nga kompania amerikane "Pattom Boggs". Në fund të muajit dhjetor 2007 Komiteti i Konsulencës dhe Transparencës, nën drejtimin e ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, miratoi raportin e "Pattom Boggs", për privatizimin e ARMO-s.
Kriteret e privatizuesit
Privatizimi i ARMO-s ka të përcaktuara kriteret e vlerësimit të ofertave mbi të cilat do të bëhet dhe vlerësimi atyre që do të paraqiten në tenderin e datës 21 maj 2008. Kriteret kryesore të vlerësimit të ofertave sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave janë: blerësi të jetë një person juridik; të ketë garanci financiare; të ketë garanci menaxhimi; të jetë i certifikuar me standardin “ISO 9000”, ose të tjera të barasvlershme me të; të jetë shoqëri e specializuar për tregtimin dhe përpunimin e naftës dhe gazit; të ketë jo më pak se tre vjet eksperiencë dhe aktivitet në këtë fushë; të ketë një kapital tërësisht të paguar aksionar jo më pak se 55 milionë euro; të ketë një vlerë të bilancit kontabël të konsoliduar prej jo më pak se 135 milionë euro; blerësi mund të jetë edhe një konsorcium ku, detyrimisht, një prej kompanive të jetë me eksperiencë jo më pak se 3 vjet në përpunimin dhe tregtimin e naftës dhe gazit; të ketë jo më pak se 20 për qind të aksioneve në këtë konsorcium. Në vlerësim, oferta financiare do të përbëjë 75 për qind të pikëve, ndërsa oferta teknike që përfshin teknologjinë, biznes-planin etj., deri në 25 për qind. Pas datës 21 maj nevojitet një periudhë 1-mujore për shqyrtimin e ofertave, ndërsa në muajin qershor pritet që të përfundojë lidhja e kontratës me blerësin e ARMO-s.
Objektet që privatizohen
Në objektet që përfshihen në privatizimin strategjik të ARMO-s janë 2 uzinat e përpunimit të thellë të naftës në Fier dhe Ballsh, Qendra Shkencore e Kimi-përpunimit në Kuçovë, filiali i eksport-importit në Vlorë, si dhe 11 depozita të naftës dhe karburanteve. Në muajin shkurt të këtij viti, Këshilli i Ministrave hoqi nga lista e njësive të shoqërisë “ARMO”, si pjesë jo strategjike në privatizim, objektet e degëve të shpërndarjes së karburantit në Lushnjë, Tiranë, Elbasan, Laç, Sarandë, Pogradec dhe Gjirokastër. Procesi parashikon që investitori strategjik të privatizojë 85 për qind të aksioneve, ndërsa do të përfshihen në këtë proces edhe ish-pronarët e trojeve ku janë ndërtuar objektet e kompanisë, si dhe një paketë për punonjësit e saj.
Shkurtimet në ARMO
Periudha e para privatizimit të ARMO-s u shoqërua edhe me disa vendime të qeverisë mbi bazën e ligjit "Për privatizimet në sektorin strategjik". Kështu, Këshilli i Ministrave vendosi që punonjësit e "ARMO"-s që dalin të papunë, si pasojë e ristrukturimit, përveç trajtimeve, që parashikohen nga Kodi i Punës, përfitojnë, për një periudhë njëvjeçare pagesë me pagë bruto mesatare mujore individuale (pagë bazë + vjetërsi pune), të vitit të fundit të punës. Përfituesit nga një vendim i tillë janë të gjithë punonjësit aktualë të ARMO-s, që kanë qenë të punësuar për një periudhë jo më pak se 2-vjeçare pa ndërprerje. Fondi prej 376 milionë lekësh, i llogaritur për 606 punonjësit që dalin të papunë nga ristrukturimi i kompanisë, do të përballohet nga likuiditetet e ARMO-s.
Kompania “ARMO”, një ndër më fitimprurëset në ekonomi
Bilanci financiar i kompanisë “ARMO”, ka pasur një përmirësim të ndjeshëm sidomos në dy vitet e fundit, 2006-2007. Kompania arriti rezultate mjaft të larta sidomos gjatë 2007-s, ku fitimi ishte 1,717 miliardë lekë, kundrejt 307 milionë lekëve të programuara, me një tejkalim prej 1,410 miliardë lekësh. Rritja në mënyrë të vazhdueshme e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, si dhe në tregun vendas gjatë vitit 2007, dha ndikimin e vet në të ardhurat për kompaninë publike të tregtimit të nënprodukteve të naftës. Gjatë 2007-s, ARMO, duke ndjekur çmimin sipas bursave ndërkombëtare të naftës, u detyrua të bëjë ndryshime të çmimit të tregtimit të nënprodukteve të naftës. Vetëm nga eksportet e bitumit, naftës bruto, solarit si dhe koksit, u siguruan të ardhura në vlerë totale prej rreth 33,4 milionë USD. Çmimi i shitjes së naftës bruto u rrit nga 500 USD/toni, në fillim të vitit, në 683.75 USD/toni në fund të 2007-s. Ndërsa çmimi i bitumit lëvizi nga 250 USD/toni, deri në 290 USD/toni, për solarin ky çmim ndryshoi nga 250 USD/toni, në 330 USD/toni dhe për koksin, nga 40 USD/toni, në 60 USD/toni. Ndryshime pësoi dhe çmimi i gazoilit, që tregtohej në tregun vendas, i cili ndoqi kurbën lëvizëse të çmimit në këtë treg, ku tregtarët importues të shumicës ndikuan direkt në të. ARMO realizoi një çmim mesatar të gazoilit në 97 lekë/litër, nga 84.2 lekë/litër që ishte programuar.
20 Maj 2008