E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI çon në Kuvend projektligjin për rritjen e ndihmës ndaj pensionistëve



Shaban Sulçe
Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar dje në Kuvend projektligjin e hartuar prej saj “Për kujdesin ndaj individëve të moshës së tretë”. Ky projektligj, i cili është hartuar nga ekspertë të LSI-së, në bashkëpunim me Sindikatën e Pensionistëve dhe shoqërinë civile, synon të rrisë kujdesin ndaj shoqërisë dhe shtetit ndaj moshës së tretë. Projektligji i paraqitur dje në Kuvend nga LSI-ja i ofron të moshuarve më shumë shërbime, trajtime dhe pagesa, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e standardit të tyre të jetesës.
Meta
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, e cilësoi shumë të rëndësishme përmbajtjen e këtij projektligji, i cili jo vetëm që do të vërë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur të të moshuarve, por do të ndikojë pozitivisht në gjendjen ekonomike të 400 000 familjeve shqiptare. “LSI beson se Parlamenti shqiptar duhet të angazhohet seriozisht në diskutimin dhe miratimin e kësaj nisme, që jo vetëm përmirëson gjendjen ekonomike, por në radhë të parë vë në vend dinjitetin e një shtrese të shoqërisë shqiptare, të diskriminuar në vite. Projektligji që kemi dorëzuar në Kuvend është tepër i rëndësishëm, sepse rrallëherë ndodh që një projektligj në Parlament të ndikojë në përmirësimin e standardit të jetesës së mbi 400 000 familjeve shqiptare, familje të cilat janë sot shtresa më e varfër e shoqërisë shqiptare”, - tha kreu i LSI-së.
Meta u bëri thirrje deputetëve që pavarësisht ngjyrimeve të tyre partiake ta mbështesin dhe ta votojnë projektligjin “Për kujdesin ndaj moshës së tretë”.
“I ftojmë të gjithë deputetët e Kuvendit të zhvishen nga ngjyrat partiake, të ngrihen mbi dallimet politike të momentit dhe ta mbështesin këtë projektligj për moshën e tretë, sepse është detyra jonë e parë dhe në dinjitetin tonë si përfaqësues të popullit, që ta përkrahim këtë shtresë të nderuar të shoqërisë shqiptare. Ftoj qeverinë ‘Berisha’ të solidarizohet me këtë nismë dhe të mbështesë pa hezitim kalimin e këtij projektligji në Kuvend. Ky projektligj nuk duhet të përdoret politikisht. Ky projektligj nuk ka ngjyra politike. Ky projektligj është një detyrim brezash, një detyrim i shoqërisë për moshën e tretë”, - tha Meta.
Projektligji
Projektligji i hartuar nga LSI-ja, Sindikata e Pensionistëve dhe shoqëria civile parashikon ngritjen e qendrave të përkrahjes së moshës së tretë pranë pushtetit vendor dhe burimet e financimit të tyre. Ai u garanton të moshuarve të drejtën për strehim me prioritet; të drejtën për transportin urban me pagesë të reduktuar ose pa pagesë; shërbimin shëndetësor në institucione shëndetësore apo shtëpi pa pagesë; mbështetjen financiare për të paaftët që jetojnë në një banesë me moshën e tretë; pagesën e një pensioni mujor të trembëdhjetë etj. Kostoja financiare e këtij projektligji është rreth 70 milionë dollarë në vit, por sipas kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, kjo shumë është lehtësisht e përballueshme nga buxheti i shtetit. “Kostoja financiare e parashikuar në këtë projektligj është rreth 70 milionë dollarë në vit. Po të kemi parasysh që buxheti i shtetit është rreth 4.1 miliardë dollarë në vit dhe rritja vit pas viti e shpenzimeve bëhet rreth 8-9%, për zbatimin e plotë të këtij ligji do të duhej rreth 1.6% e buxhetit të shtetit, ose 1/5 e rritjes vjetore të tij. Kjo shifër është plotësisht e përballueshme nga buxheti i shtetit”, - tha Meta.

Shifra
70% e individëve të moshës së tretë jetojnë nën minimumin jetik
230 mijë numri i pensionistëve të sëmurë në Shqipëri
400 mijë është numri i pensionistëve që konsiderohen të varfër
2.2 pensione mesatare mujore duhet të harxhojë një pensionist për shërbimet
70 milionë dollarë është kostoja e projektligjit të hartuar nga LSI
1.6% e buxhetit të shtetit zë kostoja e projektligjit në fjalë

20 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›