Rezoluta e Senatit të SHBA-ve: “Mirëpresim Shqipërinë në NATO”
Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka miratuar ditën e djeshme një rezolutë nga e cila përshëndetje Shqipërinë dhe e fton atë që të jetë sa më shpejt pjesë e NATO-s. Nëpërmjet kësaj Rezolute SHBA-të shprehin vendosmërinë e tyre për të pranuar Shqipërinë në këtë organizëm në momentin që të gjitha vendet anëtare të saj të votojnë unanimisht për pranimin e Shqipërisë. “Duke pasur parasysh që procesi i zgjerimit të ndërmarrë nga NATO ka qenë një sukses historik në përforcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit dhe arritjen e qëllimit transatlantik, që siguroi se Europa është një dhe e lirë, e bashkuar në paqe, demokraci dhe vlera të përbashkëta. Si rrjedhojë vendosi që Senati të përshëndesë marrjen e ftesës së Shqipërisë dhe Kroacisë në Organizatën e Paktit të Atlantikut Verior (NATO) për të nisur bisedimet e pranimit dhe njohu natyrën historike të kësaj arritjeje, të arritur me vite pune të madhe dhe një demonstrim të angazhimit për sigurinë e përbashkët dhe vlerave të anëtareve të NATO-s”, thuhet në Rezolutën e Senatit Amerikan.
Takimi me Topallin, diplomati italian, Foresti, vlerëson zhvillimin e Shqipërisë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti ditën e djeshme diplomatin italian, Paolo Foresti, ish-ambasador i Italisë në vendin tonë, i cili vlerësoi zhvillimin e Shqipërisë. “Jam i mahnitur nga ndryshimet e mëdha që shoh në Shqipëri dhe jam shumë i kënaqur kur shoh se Shqipëria po ecën me një ritëm unik. Unë vij gjithnjë me një kënaqësi të veçantë si një mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe e konsideroj veten një italo-shqiptar”, - tha Foresti. Topalli pasi shprehu mirënjohjen dhe falënderoi zotin Foresti për kontributin që ka dhënë për Shqipërinë. “Shqipëria, tha kryetarja e Kuvendit është në situatën e saj më të mirë, kemi një stabilitet makroekonomik, një rritje ekonomike prej 6 për qind dhe një inflacion nën 5 për qind. Kemi realizuar reforma të mëdha dhe jemi të vendosur të vijojmë më të njëjtin seriozitet dhe ritëm”, - tha Topalli. Foresti tha se në Itali ka shumë shqiptarë artistë, mjekë, biznesmenë të shkëlqyer që japin kontributin e tyre në Itali por edhe përfaqësojnë denjësisht vendin e tyre. Bashkëbiseduesit diskutuan gjerësisht në një frymë miqësore, mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri e rajon si dhe mbi mundësitë për forcimin dhe rritjen e bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë.
20 Maj 2008