E Shtunë, 31 Tetor 2026

G99-a kërkon nga Berisha shkarkimin e Sefgjinit.



Lëvizja politike “G99” ka kërkuar nga kryeministri Berisha që të shkarkojë nga detyra kryetatimorin e akuzuar për vrasje, Arben Sefgjini. Aktivisti i G99-s, Genci Kojdheli, tha se kryeministri Berisha duhet të bashkëpunojë me Drejtësinë për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes për të cilën akuzohet Sefgjini. “G99-a e gjykon absurd dhe të pajustifikueshëm faktin që z. Sefgjini mbetet në detyrën e rëndësishme të drejtimit të një sektori si tatim-taksat, intensiteti i punës së të cilit nuk mund të justifikohet me arsye aspak realiste si: ‘të punuarit nga shtëpia me telefon’. G99-a kërkon prej kryeministrit Sali Berisha që të tregojë mbështetjen dhe bashkëpunimin maksimal me Drejtësinë për të lehtësuar hetimin dhe zbardhjen e kësaj çështjeje, duke shkarkuar nga detyra z. Sefgjini. G99-a gjithashtu i kujton kryeministrit Berisha se ndërsa ishte në opozitë, ka qenë ai vetë që ka kërkuar dorëheqjen e kujtdo zyrtari, qoftë edhe të përfolur, e aq më tepër të akuzuar, për shkelje të ligjit. Aplikimi i të tilla standardeve të dyfishta morale dhe ligjore është i papranueshëm dhe i pajustifikueshëm në një demokraci funksionale dhe të shëndetshme”, - tha Kojdheli.

20 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›