Olldashi: ”ERT-ja në përgatitje, ligji vendos 40% tarifa më të lira për celularët”
Ministri i Transporteve deklaroi dje në Kuvend, gjatë seancës së pasdites, se Enti Rregullator i Telekomunikacioneve po punon për hartimin e tarifave të reja, të cilat do t’u imponohen kompanive celulare në vend. Sipas olldashit, ligji i ri për komunikimet elektronike vendos një bazë të re ligjore, e cila do të vendosë rregulla të qarta. “Ky ligj mbron konsumatorin dhe vendos tarifa 40 për qind më të lira se aktualet dhe ERT-ja po punon me këtë çështje për të përcaktuar tarifat e reja. Gjithashtu edhe njerëzit në nevojë do të ketë tarifa më të reduktuara se qytetarët me të ardhura mesatare”, - tha Olldashi. Kuvendi e miratoi ditën e djeshme këtë projektligj duke i hapur rrugën tashmë një sistemi të ri në komunikimet elektronike si bisedat me celular, internet etj. Nga ana tjetër, operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të rrjeteve publike të komunikimit mund të ruajnë dhe të përpunojnë të dhënat e trafikut, të nevojshme për faturim, dhe pagesat e interkonjeksionit deri në përfundimin e pagesave. Ofruesit e shërbimit publik të komunikimeve, me qëllime marketingu të shërbimeve të komunikimeve elektronike ose për ofrimin e shërbimeve me vlerë të shtuar, mund të përpunojnë të dhëna të trafikut vetëm pas pranimit paraprak nga pajtimtari ose përdoruesi. Operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të rrjeteve publike të komunikimit janë të detyruar të përcaktojnë në kontratë mënyrën e ruajtjes, kohëzgjatjen, mënyrën e përpunimit të të dhënave të trafikut. Të dhënat e trafikut mund të përpunohen vetëm nga personat përgjegjës të autorizuar nga operatorët dhe ofruesit e rrjeteve dhe shërbimeve publike të komunikimit. Ndërkaq, e drejta e përdorimit të frekuencave do të kufizohet vetëm në rast se kjo kushtëzohet nga pamjaftueshmëria e frekuencave, si edhe për të siguruar përdorimin efecient. Dhënia e të drejtave të përdorimit të burimeve të fundme do të bëhet përmes procedurave objektive, transparente, jodiskriminuese dhe proporcionale, bazuar në legjislacionin në fuqi. Gjithashtu, ai do të mundësojë krijimin e një mjedisi rregullator të përshtatshëm dhe do t’u hapë rrugë proceseve të licencimit të teknologjive të reja të komunikimit. Gjithashtu, eliminohen procedurat e stërzgjatura për licencimet. Qëllimi i rregullimit të tarifave të sipërmarrësve me fuqi të ndjeshme në treg është parandalimi i sjelljeve antikonkurruese dhe i diskriminimit të përdoruesve fundorë, pra konsumatorëve. Tarifat e tyre duhet të jenë të orientuara drejt kostos, gjë që nënkupton një normë fitimi të arsyeshme për operatorët me fuqi të ndjeshme në treg. Kjo normë duhet të jetë sa e operatorëve të tjerë të komunikimeve elektronike në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe vendeve me zhvillim të ngjashëm me atë të Shqipërisë. Sipas ministrit Olldashi, telefonia celulare në Shqipëri është më e shtrenjta në kontinent dhe është pa diskutim më e shtrenjta në vendet e rajonit dhe kjo është një situatë absolutisht e papranueshme. “Projektligji nuk është në vetvete instrumenti që rregullon. Ai i jep Autoritetit të Komunikimeve Elektronike instrumentet për ta rregulluar, pra i jep mundësinë që të ushtrojë gjithë kompetencën e vet ligjore, për të detyruar operatorët me fuqi që të respektojnë rregullat e lojës, që do të thotë që tarifat të jenë të orientuara drejt kostos”, - ka theksuar Olldashi.
20 Maj 2008