Të alkoolizuarit, gati qendra e trajtimit të specializuar
Emanuela Sako
Të alkoolizuarit do të kenë mundësinë të trajtohen në mënyrë të veçantë për t’u shkëputur nga varësia e pirjes së alkoolit tej masës së lejuar. Për këtë shërbim, tashmë ka përfunduar rikonstruksioni i godinës së ish-Urgjencës së Psikiatrisë në QSUT, e cila do të shërbejë për trajtimin e personave të alkoolizuar. Burime nga Drejtoria e QSUT-së, shpjeguan se tani pritet të zgjidhet stafi i mjekëve, infermierëve dhe psikologëve. Ndërsa 350 mijë shqiptarët që konsumojnë alkoolin tej mase do të marrin këshilla për të mos u bërë pre e alkoolizimit. Një studim i kohëve të fundit, i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, jep disa të dhëna për numrin e alkoolikëve në Shqipëri. Duke u bazuar në këto të dhëna, rezulton se alkooli konsumohet nga rreth 350 mijë shqiptarë, prej të cilëve 58 për qind konsumojnë alkool tej masës së lejuar dhe 22 për qind janë të varur prej tij. Kjo klinikë përbën të parin shërbim alkoologjik të mirëfilltë në vendin tonë, pasi individët e varur nga alkooli nuk do të trajtohen vetëm për çrregullimet e tyre organike. Klinika e re do të ofrojë një shërbim afatgjatë, ku do të këtë kombinim të psikoterapisë dhe terapisë farmaceutike.
Qendra
Projekti për ngritjen e një qendre të tillë nisi një vit më parë, për ngritjen e të cilit u punua nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Shkollën Europiane të Alkoologjisë me qendër në Udine të Italisë. Godina ndodhet në një pjesë të godinës së vjetër të Spitalit Psikiatrik, e cila ka mbaruar së rikonstruktuari. Ajo është pajisur me mjetet e nevojshme, janë vënë 12 shtretër dhe tashmë pritet kompletimi i stafit. Stafi i mjekëve do të jetë i kualifikuar, ku do të ketë një mjek përgjegjës, 4 infermiere, një kryeinfermiere dhe një psikolog. Aktualisht, Drejtoria e QSUT do të përzgjedhë një mjek, nga dy kandidatë që kanë mbaruar specializimin në Itali. Ngritja e një klinike për trajtimin e varësisë alkoolike është në përputhje edhe me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të cilën abuzimi me alkoolin është problem prioritar i shëndetit publik, për patologjitë e rënda si ciroza hepatike, por dhe për impaktin e tij social. Ministria e Shëndetësisë, po merr masa për parandalimin dhe trajtimin e të alkoolizuarve në vend.
Pacientët
Tashmë pacientëve do t’iu jepet mundësi trajtimi të veçantë dhe jo vetëm t’i nënshtrohen një kure disa ditore siç ka ndodhur më parë. Aktualisht pacientët kurohen në Spitalin Ushtarak për problemet e tyre organike, por tani do të trajtohen edhe nga ana psikologjike për afate kohore më të gjata, për t’u shkëputur përfundimisht nga varësia që krijon konsumimi i tepërt i alkoolit. Aty do të bëhen trajtime të veçanta, ku pacientët do të mund të lexojnë broshura, të kryejnë palestër, të bashkëbisedojnë me psikologun për të ndërtuar një jetë të re jashtë alkoolit. Shifrat e personave që konsumojnë alkool vijnë rritje.
20 Maj 2008