Bello: “Qeveria nuk garanton sigurinë e jetës së shqiptarëve”
Deputeti i PS-së, Marko Bello, ka shprehur dje shqetësimin në emrin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për rritjen e pasigurisë së qytetarëve në vend. Për këtë Bello u është referuar ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura gjatë dy javëve të fundit, ku janë shënuar 5 vrasje të tipit mafioz. Bello akuzoi qeverinë se ka dështuar për të garantuar sigurinë e jetës së shqiptarëve. “Grupi Parlamentar i PS-së shpreh shqetësimin e tij të thellë për këtë situatë të rëndë, ku ajo që vlen më pak është jeta e qytetarit të thjeshtë. Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur vendi qeveriset nga kryeministri më i papërgjegjshëm dhe më rrenacak në kontinent, me qeverisje tërësisht të paaftë, administratë të mbushur me militantë të paaftë profesionalisht dhe mentalitet pushtuesi. Nuk ka se si të ketë siguri për qytetarin kur veprimet mafioze kryen në mjaft raste nga njerëz të veshur me pushtet. Rendi sfidohet hapur, ndarja e pushteteve në një shtet demokratik nuk respektohet, ndërsa barazia para ligjit është thjesht një slogan”, - deklaroi deputeti socialist Marko Bello.
20 Maj 2008