ARMO, privatizim brenda 6-mujorit 2008
Kompania shtetërore e naftës zotëron një pjesë prej 25% të tregut vendës
Konsulenti për privatizimin "Pattom Boggs" ka dorëzuare raportin përfundimtar për ARMO
Çmimi i kompanisë ARMO tashmë është rritur në një kohë që nafta në tregje ka pësuar një rritje galopante çmimesh. Kompania ARMO zotëron rreth 25% të tregut të brendshëm të naftës.
Kompania shtetërore e prodhimit të naftës në vend, ARMO, do të privatizohet brenda 6 mujorit të parë të vitit 2008. Sipas specialistëve të kësaj kompanie, çmimi i kompanisë ka pësuar një rritje pas dyfishimit të çmimit të naftës në tregje. Komiteti i Konsulencës dhe Transparencës për privatizimin e kompanisë "ARMO" u mblodh dje nën drejtimin e ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, dhe miratoi raportin e kompanisë konsulente "Pattom Boggs", për privatizimin e kësaj kompanie. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Durim Kraja, tha se raporti final i hartuar nga kompania konsulente, do të shërbejë për procesin e mëtejshëm të privatizimit të "Armos", e cila do të përfundojë brenda 6-mujorit të parë të vitit 2008. Sipas raportit dhe duke u mbështetur në ligjin "Për privatizimin e kompanisë "Armo" , tha Kraja, do të privatizohet nga investitori strategjik 76% e aksioneve, ndërsa do të përfshihen në këtë proces ish-pronarët e trojeve ku janë ndërtuar objektet e kompanisë, si dhe një paketë për punonjësit e saj. Me miratimin e raportit të "Pattom Boggs", do të kalohet në fazën e vlerësimit për investitorët strategjikë të "Armo"-s, nga të cilët po vihet re edhe interesim në rritje. "Deri tani është identifikuar një listë prej 20 kompanish të interesuara për këtë proces",- tha Kraja. Përfaqësuesi i kompanisë "Pattom Boggs", që ka kryer konsulencën e privatizimit të "Armo"-s, David Farber, tha se "jemi optimistë për një privatizim të suksesshëm të kompanisë "Armo". Kompania amerikane "Pattom Boggs" u përzgjodh nga qeveria shqiptare për të kryer konsulencën e privatizimit të "Armo"-s në 25 korrik 2007. Gjatë kësaj periudhe, ajo punoi për përgatitjen e privatizimit si dhe krijimin e një data-base për këtë kompani, e cila do t'u vihet në dispozicion investitorëve potencialë strategjikë të interesuar,duke respektuar të gjitha afatet kohore sipas kontratës me METE-n
Pas miratimit të raportit të konsulencës të kompanisë amerikane "Pattom Bogs", tenderi për privatizimin e kompanisë ARMO mund të shpallet në muajt e parë të vitit 2008. Ende nuk dihet se sa mund të jetë çmimi që mund të privatizohet kjo kompani, por burime brenda kompanisë sqarojnë se çmimi i kësaj kompanie pretendohet që të jetë rreth 100 milionë dollarë. Ndërkohë që interes direkt për blerjen e saj ka paraqitur "Bankers Petroleum", kompania kanadeze që ka me koncesion vendburimin e Patos-Marinzës. ARMO zotëron vetëm 25 për qind të tregut të brendshëm të naftës. Ekspertët thonë se kjo ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit që i është bërë shoqërisë ndër vite. Në tremujorin janar-mars 2006, njësia e prodhimit në ARMO kapi rekordin e 15 viteve të fundit, duke prodhuar 120 mijë tonë, çka është më shumë se gjysma e totalit të prodhimit të vitit 2005, prej 240 mijë tonësh. Disa specialistë mbështesin idenë se potenciali i ARMO-s në prodhimin e naftës është shumë më i madh se kaq, por kjo, sipas tyre, bllokohet nga disa segmente të caktuara, të lidhura ngushtë me disa shoqëri importuese të naftës në vend, të cilat kanë interes që prodhimi i naftës në vend të mos jetë shumë i lartë, për shkak se kjo mund të cenonte tregun e importit.