Shkodër, 1 e vdekur nga gazi, asfiksohen 5 të tjerë
Familja Lugina festonte Shën Gjonin dhe ra të flinte me ngrohësen ndezur. Asfiksohen dhe mysafirët
Humb jetën Liza Lugina, 30-vjeç. Rëndë bashkëshorti, dy fëmijët, motra dhe vëllai i viktimës
Shkodër-Gazi i përdorur për ngrohje ka shkaktuar vdekjen e zonjës së shtëpisë, ndërkohë që pesë pjesëtarët e tjerë të familjes dhe miqtë e tyre kanë përfunduar në spital, në gjendje të rëndë. Tragjedia ndodhi natën e së mërkurës, në fshatin Shtoj i Ri, i komunës Rrethina në Shkodër, ku nga asfiksia humbi jetën 30-vjeçarja, Liza Lugina. Bashkëshorti i saj, Gëzimi, 33-vjeç, dy fëmijët, Fatjoni 3-vjeç dhe Fatjona 8-vjeçe dhe motra dhe vëllai i viktimës, Kolë Arra, 18-vjeç dhe Shkurte Arra, 14-vjeçe ndodhen në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës.
Festa
Ishin mbledhur bashkë për të festuar Shën Gjonin dhe kishin pritur mysafirë dhe motrën dhe vëllanë e gruas së shtëpisë, por kanë lënë ndezur reflektorin me gaz për t'u ngrohur gjatë natës. Pikërisht këtu merr fill tragjedia, pasi bombola që furnizonte ngrohësin ka rrjedhur duke helmuar familjen. Sipas dëshmive të të afërmëve të familjes Lugina, gjithçka ka ndodhur natën. Gëzimi, kishte vetëm tre vjet që kishte ndërtuar një shtëpi të re, fare pranë asaj të babait të tij, Franit. Familja Lugina ka rreth 6 vjet që është vendosur në fshatin Shtoj i Ri, në afërsi të linjës hekurudhore, jo larg ish- fushës së aviacionit. Kjo familje më parë jetonte në Dukagjin dhe në kërkim të një jete më të mirë ishte vendosur në zonë fushore. Mbrëmjen e së mërkurës, për të festuar bashkë me motrën dhe vëllanë e vogël të viktimës ka qenë dhe motra tjetër me bashkëshortin e saj, por që për shkak vendi, pas darkës kanë shkuar të flinin gjetkë. "Ata kanë festuar deri rreth orës 24.00, dukengrënë e pirë, madje kanë pjekur dhe fërlikun tradicional. Pas kësaj kanë rënë për të fjetur",- thonë të afërmit.
Ngjarja
Nga pakujdesia, apo dhe për t'u ngrohur ata kanë lënë ndezur reflektorin, që punon me gaz, i cili ndodhej në aneksin e shtëpisë. "Në kuzhinë kanë qenë duke fjetur Liza me të motrën Shkurten dhe vajzën Fatjona. Gëzimi me kunatin e tij, Kolën dhe djalin Fatjonin kanë qenë duke fjetur në dhomë",- thonë familjarët. Reflektori me gaz ka qëndruar ndezur dhe përveçse ka tharë plotësisht ajrin ka pësuar dhe rrjedhje të gazit. Era e rëndë e gazit helmues ka përfshirë gjithë banesën. Nisur dhe nga hetimet e kryera nga policia, mësohet se Liza ka ndier diçka dhe është çuar e ka hapur derën e kuzhinës për të dalë në korridor.Aty është rrëzuar pa ndjenja duke rënë në një poltron dy vendësh që ndodhej në korridor. Në mëngjes kanë qenë vëllai i Gëzimit dhe baxhanaku i tij, që kishte darkuar me to deri vonë ato që kanë shkuar tek shtëpia për t'i përshëndetur. Sapo kanë hapur derën janë befasuar nga era e rëndë, ndërsa e zonja e shtëpisë Liza ndodhej e shtrirë e gjysmë e rrëzuar në poltronin që ndodhej në korridor. Ata kanë kërkuar dhe ndihmën e të afërmëve të tjerë dhe kanë ndërhyrë për të ndihmuar të asfiksuarit.
Asfiksia
Pa shenja jete, gruaja e shtëpisë është dërguar në morg, kurse Gëzimi, Fatjona e Fatjon Lugina dhe Kolë e Shkurte Arra janë dërguar në spitalin e Shkodrës. Sipas policisë, e cila është lajmëruar menjëherë, gruaja nuk kishte asnjë shenjë jete, ndërsa reflektori me gaz qëndronte akoma i ngrohtë dhe me rezistencë të skuqur. Pas hetimeve të kryera dhe dëshmive të grumbulluara, policia ka arritur në përfundimin se shkaku i vdekjes së 30-vjeçares dhe dëmtimit të 5 pjesëtarëve të tjerë të familjes së saj ka qenë asfiksia e shkaktuar nga helmimi prej gazit për ngrohje. "Reflektori me gaz është harruar ndezur dhe pjesëtarët e familjes kanë rënë për të fjetur pa e ndjerë tharjen e ajrit dhe erën e gazit",- thanë burimet policore. Sipas tyre, ka ndikuar dhe fakti se personat e rritur kishin konsumuar alkool dhe kjo ka bërë që ata t'i zërë menjëherë gjumi, pa menduar për tragjedinë që i priste. Trupi i pajetë i Liza Luginës është dërguar në morgun e spitalit të Shkodrës.