Leku, banka gati të ulë normën bazë të interesit
Fabiola Çela
Banka e Shqipërisë pritet të vendosë uljen e normës bazë të interesit për lekun. Vendim ky që do të pasojë zvogëlimin e normës bazë të interesit nga Banka Qendrore Evropiane për euron dhe Rezerva Federale për dollarin amerikan. Vendimi, sipas burimeve, do të ndodhë brenda dy mbledhjeve të ardhshme të Këshillit Mbikëqyrës së bankës. Në një farë mënyre, vetë Guvernatori Fullani e paralajmëroi pak ditë më parë një veprim të tillë. Në takimin e fundit, duke analizuar gjendjen monetare të vendit, ai nënvizoi se tashmë po krijohen kushtet për një lehtësim të politikës monetare. Fullani iu referua stabilizimit të inflacionit. "Balanca e rreziqeve për inflacionin në të ardhmen është e zhvendosur në kahun zbritës, duke krijuar hapësira për manovrim në të ardhmen e afërt".
Kriza
Aktualisht Shqipëria ka normën bazë të interesit, REPO, 6.25 për qind. Kjo normë është vendosur në nëntor të viti 2007 dhe që atëherë nuk është ndryshuar nga Këshilli Mbikëqyrës i bankës. Në atë kohë, fillimin e krizës financiare, rritjen e çmimit të energjisë dhe naftës, rritja e normës së interesit u vlerësua si frenuese e inflacionit. Por, këtë fundviti, kriza financiare është kthyer në një krizë ekonomike. Si rezultat ka një rënie të kërkesës, ulje të kreditimit në të gjithë botën. Kjo situatë detyroi Bankën Qendrore Evropiane të ulë deri në 3.25 për qind normën e euribor-it dhe Rezerva Federale të ulë deri në 0.5 për qind normën bazë të dollarit. Bankat në Shqipëri shumicën e kredive e kanë në valutë, përgjithësisht në euro. Kreditë e dhëna i referohen pikërisht euribor-it, për të përcaktuar interesin. Rënia e euribor-it bën që të gjithë kreditë në euro të kenë një interes më të ulët, si rrjedhojë pagesa më të vogla drejt bankës. Deri këtu gjithçka është normale. Por bankat e nivelit të dytë në Shqipëri shumicën e depozitave e kanë në lekë. Interesi i kredisë në lekë varion sipas normës bazë të interesit të vendosur nga Banka e Shqipërisë. Një normë e lartë interesi nga Banka e Shqipërisë do të thotë një interes i lartë për depozitat në lekë, dhe si rrjedhojë një detyrim më të lartë të bankave drejt klientëve. Prishja e këtij raporti, pra ulja e interesit të kredive në valutë dhe mbajtja e lartë e interesit të depozitave në lekë, zvogëlon fitimet e bankave. Kjo është një arsye. Arsyeja e dytë është rritja e kreditimit, pra rritja e përdorimit të parave nga ekonomia shqiptare. Kriza ekonomike, që pritet të prekë pak Shqipërinë, do të sjellë uljen e konsumit. Ulja e normës së interesit të lekut e bën monedhën më të dëshiruar për kredi, dhe si rrjedhojë më shumë para për investime dhe për konsum.