E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshime për studime paralele, shtyhet hapja e Part-time

 

zirina llambro

Studentët e Part-time do të ulen në auditorë muajt e parë të vitit që vjen. Por ndërsa kjo pritej, dhjetëra fitues janë përballur me një kërkesë të re, teksa janë përpjekur të kryejnë procedurën e regjistrimit. Sekretaritë e fakulteteve u kanë kërkuar si kusht dëftesën origjinale. Kjo ndonëse fillimisht u bë me dije se ata do të pranoheshin edhe nëse do të paraqisnin fotokopjen e saj. "Rregulli është vendosur nga rektorati, duke qenë se ka pasur dyshime për regjistrim të studentëve në dy fakultete njëherësh. Njëri ditën dhe tjetri me kohë të pjesshme. Për të evituar këtë përplasje kërkohet dëftesa origjinale. Pa të nuk mund ta bëjmë regjistrimin", sqaron njëra prej sekretareve në fakultetin e ekonomikut. Të njëjtën gjë pohojnë edhe burime nga universitetet. Sipas tyre dyshohet për studime paralele nga disa kandidatë, çka ligjërisht është e palejueshme. Këto probleme pengojnë nisjen e vitit akademik për këtë cikël. Megjithë premtimet e Ministrisë së Arsimit për të rinisur që në nëntor studimet e part-time, vonesat kanë qenë të shumta. Duket se pas një viti ndërprerje, fillimi nuk është aq i mbarë edhe pse pretendohet të jetë reformuar e gjithë kurrikula dhe mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve. Sërish fituesit mbeten të paqartë për datën kur do të mund të nisin leksionet. Janë jo pak por 4845 studentë në të gjithë vendin që presin të ulen në auditorë.
Njëvlefshmëria e diplomave
Ajo që mbetet e sigurt është skema e re e vlerësimit me kredite. Kështu të gjithë ata që do të nisin këtë vit shkollën e lartë me kohë të pjesshme duhet të plotësojnë 60 kredite për të kapërcyer një vit akademik. Sipas Ministrisë së Arsimit njëvlefshmëria e  diplomave me sistemin ditën nuk do të jetë më vetëm në letër.  "Nuk do të ketë më përvetësim vetëm të 60% të programit, siç ndodhte më parë për part-time. Ky cikël studimesh do të ketë të njëjtin program mësimor, si për studentët që ndjekin studimet ditën. Universitetet kanë riformuluar të gjitha kurrikulat, pas vendosjes së këtij kushti", sqaron MASH. Sipas këtij dikasteri, aplikimi i rregullave të reja erdhi pas një sërë mangësish që u evidentuan në sistemin me kohë të pjesshme. "Ishte një formë diskriminimi ndaj vetë studentëve. Kjo, pasi në fund të shkollës së lartë merrnin të njëjtën diplomë, si ata që studionin ditën, duke realizuar 100% të programit, edhe ata që vinin në universitet vetëm të shtunë e të diel. Kjo ishte jo normale", nënvizojnë specialistët e ministrisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›