ARMO, pronarët e rinj premtojnë 2 paga shpërblim
Fabiola Çela
Punonjësit e ARMO-s do të marrin dy paga shpërblim. Premtimi është dhënë nga vetë Rezart Taçi, përfaqësuesi i "Anika Enterprises SA, Mercuria Energy Group Limited dhe Refinery Associates of Texas". Dje në ambientet e Ministrisë së Energjetikës u nënshkrua marrëveshja për kalimin e pronësisë së 85 për qind të aksioneve të ARMO-s te konsorciumi "Anika Enterprises SA, Mercuria Energy Group Limited dhe Refinery Associates of Texas". Kjo marrëveshje u nënshkrua mes zëvendësministrit të Energjetikës, Neritan Alibali dhe përfaqësuesit të konsorciumit, Rezart Taçi.
Privatizimi
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, zëvendësministri Alibali u shpreh se ky kalim pronësie bëhet pas një procesi të gjatë dhe transparent të tenderit ndërkombëtar për shitjen e këtyre aksioneve si dhe pagesës nga ana e konsorciumit të 128.750.000 euro. Ndërsa nga ana e tij, përfaqësuesi i konsorciumit, Rezart Taçi, ka garantuar respektimin e biznes-planit të dorëzuar në tender dhe investimin e një shume prej 240 milionë dollarësh gjatë 5 viteve. Zbatimi i biznes-planit, përveç parashikimeve të ndryshme kontraktuale, garantohet edhe nëpërmjet penaliteteve që palët kanë parashikuar në rast moszbatimi të tij. Kontrata i detyron blerësit e ARMO-s të mos shesin aksionet e tij pa miratimin e ministrisë për një periudhë pesëvjeçare. Gjithashtu Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës përfiton 100% të dividentit nga ARMO deri në ditën e djeshme, kur është bërë efektive kontrata. Privatizimi i kompanisë ARMO sh.a u konsiderua si një ndër më problematikët për vetë kompleksitetin dhe rëndësinë që paraqiste. Ofertat ekonomike që u ofruan tejkaluan mbi dy herë edhe vlerësimet më optimiste të dhëna nga konsulenti ndërkombëtar si dhe kanë tejkaluar vlerën e vetë aseteve të ARMO-s, duke i dhënë kompanisë një vlerë tregu shumë më të lartë. Kompania ARMO është krijuar në vitin 1999 dhe kapitali i saj arrin në vlerën e rreth 43 milionë eurove. Asetet kryesore të kompanisë janë dy impiante rafinerie në Ballsh dhe Fier, të cilat janë ndërtuar rreth 40 vjet më parë. Pjesë e saj janë edhe një numër pikash të tregtimit të vendosura kryesisht në zona jo shumë të zhvilluara.