Kushtetuta, Godo: PS donte Kryeprokurorin nën Qeverinë
adi shkëmbi
Hartimi i Kushtetutës, ligjit themeltar të shtetit, nuk ka qenë një proces fund e krye konsensual dhjetë vjet më parë. Megjithëse bojkoti i Partisë Demokratike zvogëlonte mundësitë për përplasje në komisionin e posaçëm për hartimin e tekstit, prania e Sabri Godos e Spartak Ngjelës dhe fakti që bindjet e tyre binin ndesh me ato të maxhorancës së majtë, ka bërë që edhe debatet të ishin të mëdha. Pikërisht njëri prej tyre, bashkëhartuesi i tekstit të Kushtetutës, Sabri Godo, flet për herë të parë për prapaskenat që kanë shoqëruar këtë proces që nga emërimi i bashkëkryetarëve e deri te përplasjet për mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Në ditëlindjen e dhjetë të ligjit themeltar të shtetit, gjatë një aktiviteti të organizuar nga Universiteti Evropian i Tiranës, Godo kujton se nisja e procesit u shoqërua edhe me mungesë serioziteti nga PS-ja, e cila e emëroi atë fillimisht nënkryetar komisioni dhe më pas bashkëkryetar me Imamin. "Edhe si bashkëkryetar mund të imponoja vullnetin tim, sepse e thënë fare thjeshtë, socialistët nuk e bënin dot pa pasur në ballë të komisionit një eksponent të së djathtës", kujton Godo 10 vjet më pas. Përplasja më e madhe, sipas tij, ka qenë ajo për varësinë e Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas kreut të Asamblesë parlamentare të Partisë Republikane në atë kohë, ai u pozicionua kundër varësisë së Kryeprokurorit nga Qeveria, por u ndesh me qëndrimin e së majtës, e cila kërkonte të kundërtën. Përplasjet në komision bënë që ata t'i drejtohen autoritetit më të lartë në këtë fushë, pikërisht Komisionit të Venecias. "Unë mbroja tezën se prokurori duhet të ishte i pavarur nga ekzekutivi. Meqë nuk ramë dakord çështja u transferua në Komisionin e Venecias. Pas një debati të gjatë unë i thashë komisionit 'të lësh prokurorin nën qeverinë në kushtet e sotme në Shqipëri, është si t'i vësh në dorë kryeministrit një kobure me mulli për të vrarë njëri pas tjetrit kundërshtarët e tij'. Ky farë banalizimi bëri efekt. Fitova unë. Kur dolëm që andej Imami, Islami dhe Leontiev Çuçi më thanë 'ia arrite të bësh një Skënderbej, por do t'ia shohësh hajrin'. Edhe sot nuk e kam ndarë mendjen nëse bëra mirë a keq", shprehet Godo. Një tjetër debat sipas bashkëhartuesit të Kushtetutës ka qenë edhe ai për çështjen kombëtare. "Për çështjen kombëtare është shkruar se shqiptarët aspirojnë bashkimin. Kurse në nenin 8 shkruhet se Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj, që nënkupton haptas Kosovën, shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi. Socialistët e kundërshtuan këtë formulim, por në fund e tërhoqën", kujton më tej Godo. Në fund ai ndalet te mënyra e zgjedhjes së Presidentit, ku thekson faktin se zgjedhja e tij me 3/5 dhe rrezikimi i zgjedhjeve të parakohshme është bërë nën presionin e ish-kryetarit të Kuvendit, Skënder Gjinushi dhe pa praninë e Godos. "Komisioni pati debate për Presidentin. Më në fund rashë dakord me të gjitha me përjashtim të zgjedhjes. Nuk mund të pranoja që vendi të kalonte dy herë në zgjedhje të përgjithshme për një president që del nga Parlamenti. Neni 87 u formulua në mbledhjen e fundit që u mbajt në selinë e Kuvendit nën presionin e Skënder Gjinushit dhe pa praninë time", përfundon Godo.
Sollaku: Kushtetuesja harxhon 1 milion USD,nuk ka pse të ekzistojë
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, njëherësh edhe ish-këshilltar juridik i Presidentit, Theodhori Sollaku, kujton se një nga debatet gjatë kohës së hartimit të tekstit të Kushtetutës ishte edhe ajo për ekzistencën e Gjykatës Kushtetuese. Duke iu rikthyer asaj periudhe, Sollaku tha se, "së pari, ne jemi vend i vogël dhe duhet të qeverisemi me sa më pak shpenzime. Shtetit do t'i duhet të bëjë shpenzimet e domosdoshme për të mbajtur një institucion, por për ato që vërtetë janë të domosdoshme. Së dyti, ngarkesa minimale e çështjeve që do të gjykonte kjo gjykatë. Së treti, funksionet e kontrollit kushtetues mund t'i kryente më së miri Gjykata e Lartë". Por edhe sot, pas dhjetë vjetësh, ai shprehet se i qëndron këtij mendimi. "Argumentet plotësohen edhe duke parë veprimtaritë praktike të kësaj gjykate. E kam fjalën jo për cilësitë e vendimeve të saj, por për punën efektive që ajo kryen. Statistikat tregojnë se në 5 vitet e fundit Gjykata Kushtetuese ka përballuar mesatarisht një ngarkesë prej 39 çështjes të gjykuara në vit, ose 4.3 çështje në vit për një gjyqtar, ngarkesë kjo që nuk mund të justifikohet me shpenzimet që përballon buxheti i shtetit afro 1 milion dollarë në vit për këtë gjykatë", theksoi dje ish-kryeprokurori.