E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëdorëzohet 1 vit pasi kreu vrasje

 

LAÇ - Vetëdorëzohet një vit pasi kreu krimin e vrasjes. Nikollë Ndoj nga fshati Skuraj në Kurbin telefonoi dje në sallën operative ku i kërkoi policisë të shkonin në banesën e tij për ta arrestuar. "Alo, jam Nikollë Ndoj. Një vit më parë kam vrarë Arben Malçin. Dua të dorëzohem. Hajdeni më merrni në shtëpi". Ka mjaftuar kjo telefonatë që policia të niset drejt fshatit Skuraj ditën e djeshme. Telefonata rezultoi e saktë, pasi i kërkuari për vrasjen e ndodhur më 3 qershor 2007, ndodhej në banesën e tij, në pritje për t'i vënë prangat. Ai është shoqëruar në ambientet e policisë nga ku është marrë në pyetje, dhe ka rindërtuar skenarin e kësaj ngjarjeje. Vetëdorëzimi i Ndoit është kushtëzuar nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga ana e familjarëve të viktimës, si dhe ngujimi i pjesëtarëve të tjerë të familjes së tij. Policia bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur në rrugën nacionale Milot-Burrel, në një lokal në fshatin Skuraj. Arben Malçi është qëlluar me tre plumba pistolete në kokë dhe trup, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Pas krimit që ndodhi për motive banale, Ndoi është larguar, ndërsa policia e shpalli atë në kërkim me akuzën e vrasjes.            r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›