E Diel, 1 Nëntor 2026

Mijëra në shesh për votën, blindohet me policë selia e PS-së

 

Aristir Lumezi

LSI dhe partitë e tjera nisën dje protestat në mbrojtje të votës dhe kundër manipulimit. Me mijëra qytetarë të kryeqytetit, por dhe të ardhur nga qytetet e tjera protestuan dje në sheshin "Skënderbej" në mënyrë paqësore në mbrojtje të votës së lirë. Sheshi "Skënderbej" nuk kishte dje dallime partiake në simbole, por vetëm flamuj kombëtarë dhe banderola, që kërkonin ruajtjen e votës dhe cilësimin e saj si të shenjtë. Binte në sy dje rreth sheshit "Skënderbej", blindimi që i ishte bërë selisë së Partisë Socialiste, hyrjet drejt së cilës ishin mbyllur me kangjella bllokuese ndaj qarkullimit. Të gjitha rrugët që çonin tek selia socialiste ishin bllokuar, si ajo përpara Ministrisë së Industrisë dhe Ekonomisë, ashtu dhe ajo para Bankës Kombëtare, por dhe hyrja nga tregu çam. Ndërkohë që protesta vijonte me fjalimet e drejtuesve politikë të partive pjesëmarrëse, forca të shumta policie ruanin Bashkinë e Tiranës, selinë socialiste dhe Kryeministrinë. Pas fjalimeve në miting, pjesëmarrësit kaluan në një rrugëtim paqësor drejt Kryeministrisë dhe Presidencës, duke kërkuar ruajtjen e votës. "Jo diktaturës! Vota është e shenjtë!" "Zgjedhje të lira dhe të ndershme" ishin sloganet dhe banderolat që mbanin në duar protestuesit.
Fjalimet
Protesta e parë kundër manipulimit të votës nga dy partitë kryesore PS-PD, mblodhi në sheshin kryesor të Tiranës disa parti parlamentare dhe jo parlamentare. Ishin në shesh LSI, PDK, PAD, LZHK, PS '91, të cilat kërkuan ruajtjen e votës dhe respektimin e vullnetit të votuesve. Kryetari i LSI-së Ilir Meta, akuzoi krerët e PS dhe PD për përpjekjet e tyre, për manipulimin e votave në zgjedhjet e ardhshme. "Ata siglojnë në fshehtësi pakte pas paktesh, duke e ndarë Shqipërinë në llokma dhe sfera interesi, pa pyetur dhe pa u kujdesur kurrë për problemet e shqiptarëve. Janë këta, të cilët po e thellojnë polarizimin shoqëror në mënyrë të skajshme, janë këta që asnjëherë nuk u ulën dhe të diskutojnë një problem të rëndësishëm të qytetarëve", tha Meta. Kreu i LSI-së kërkoi, që Rama dhe Berisha para se të bënin Kodin elektoral në interes të tyre, duhej të ishin ulur të bashkëpunonin për të zgjidhur probleme jetike për shqiptarët, siç janë uji i pijshëm apo energjia. Ai akuzoi kreun e Bashkisë së Tiranës se politika e tij e re është një pseudo politikë. "Ju e mbani mend shumë mirë se çfarë ndodhi në Gërdec dhe të gjithë e kuptojnë më së miri se politika e re e Ramës është politika e një gjoja opozite, që bën marrëveshje nën rrogoz, të një opozite pa kurrfarë opozite, një opozite që inkurajon arrogancën dhe papërgjegjshmërinë, deri kriminale, të qeverisë Berisha!", tha Meta.

“Kodi në kuzhinën e 99-shave”

Drejtuesi i PS '91, Petro Koçi akuzoi kreun socialist se po imponon në PS modelin e Sali Berishës. "Sistemi Rama-Berisha është sistemi i përjashtimit të qytetarëve dhe zgjedhësve të lirë nga vendimmarrja politike. Bashkëqeverisja e tyre e ndryshimeve të Kushtetutës dhe e Kodit Zgjedhor përbën projektin e rrezikshëm të pakontrollueshmërisë së pushtetit. Një pushtet që është jashtë kontrollit të qytetarit nuk i shërben kurrë atij. Asnjë socialist dhe demokrat i thjeshtë nuk u pyet për Kushtetutën dhe për Ligjin Zgjedhor! Gjithçka u gatua në kuzhinën e dy 99-shave të politikës konsensuale!", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›