Pakti, 7 kompani zotërojnë 86 % të tregut të naftës
Bujar Leskaj
Pak histori
Tradicionalisht tregtarët kryesorë të hidrokarbureve në botë kanë qenë shtatë kompani të etiketuara si "shtatë motrat". Gjysmë shekulli më parë, shtatë motrat, Standard Oil i New Jersey-it, Royal Dutch Shell, Texaco dhe kolosë të tjerë të naftës, mbisunduan të gjithë skenën botërore të naftës. Këtu përfshihen edhe tri kompani të prejardhura nga shpërbërja e kompanisë Standard Oil, e cila ka qenë kompani mbizotëruese e prodhimit, transportimit, rafinimit dhe tregtimit të naftës në SHBA. E themeluar që në vitin 1870, ajo ka vepruar si një trust dhe ka qenë një ndër multinacionalet më të mëdha në botë. Ka qenë Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila në vitin 1911, afro 1 shekull më parë që ndau këtë kompani në 34 pjesë në detyrim të ligjeve antitrust të miratuar për këtë qëllim. Në këto kohë mundësia e përcaktimit të çmimeve mbetej në duart e amerikanëve (fillimisht në duart e kompanisë së naftës dhe më vonë në komisionin e hekurudhave të Texas-it). Është një nga paradokset historike që një komision i hekurudhave arriti të arbitrojë ekuilibrimin e ofertës dhe kërkesës së naftës.
Këto kompani në rrjedhën e mëtejshme të kohës kanë qenë pjesë e grupeve qeveritare apo dhe të bizneseve të fuqishme kanë arritur që të mirorganizohen dhe të futen në marrëveshje me prodhuesit e botës së tretë në formën e një karteli, gjë që u siguronte fitime të mëdha. Kjo ka qenë ajo që ka ndodhur në të kaluarën e afërt (vitet '60).
Më konkretisht "shtatë motrat" kanë qenë:
Standard Oil of New Jersey), e cila u bashkua me kompaninë Mobil pp të formuar grupin Exxon Mobil. Royal Dutch Shell (Dutch /British), Anglo-Persian Oil Company (APOC) (British). Kjo kompani më vonë u shndërrua në Anglo-Iranian Oil Company (AIOC), dhe më tej në British Petroleum, dhe pas kësaj në BP Amoco, duke u shkrirë në fund me Amoco. Standard Oil Co. of New York ("Socony"). Kjo kompani më vonë u quajt Mobil, dhe nga bashkimi me Exxon formuan Exxon Mobil. Standard Oil of California ("Socal"). Kjo kompani u shndërrua fillimisht në Chevron, më tej nga shkrirja me kompaninë Texaco, krijuan ChevronTexaco.
Gulf Oil. Në vitin 1985 pjesa më e madhe e kësaj kompanie u bë pjesë e Chevron, dhe pjesët e tjera u bënë pjesë e BP dhe Cumberland Farms, e cila kulmoi me shkrirjen më të madhe në histori mes dy kompanive të naftës.
Texaco. Në vitin 2001 kjo kompani u shkri me Chevron duke marrë emrin Chevron-Texaco, por në 2005 e ndryshuan emrin përsëri, duke e rivendosur Chevron. Texaco mbeti një emër i markës Chevron.
Roli historik i naftës të SHBA mbaroi në 1971, kur rritja e kërkesës botërore tejkaloi aftësitë prodhuese të SHBA-së. Sot kompanitë private ndërkombëtare përfaqësojnë një hije të së kaluarës së vjetër të tyre.
"Shtatë motrat" shqiptare?
Sipas një vështrimi të kompanive që tregtojnë naftë në Shqipëri, mund të konstatojmë se për koincidencë janë shtatë shoqëri të cilat zënë përkatësisht 84% të tregut në vitin 2005, 86% në vitin 2006 dhe 85.9% të tregut të hidrokarbureve në vitin 2007. Kjo është pamja e tregut sot. Nuk mund të them se është ajo që do donim të ishte. Por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se është rrjedhojë e një deformimi disavjeçar 1998-2005, periudhë gjatë të cilës tregu i ishte lënë në dorë 2-3 kompanive.
Por, ndërkohë që tregu ndërkombëtar i mbizotëruar nga "shtatë motrat" pëson luhatje të theksuar të çmimit të naftës sipas ndërveprimit klasik të kërkesës dhe ofertës dhe rregullohet sipas së famshmes "dorë e padukshme" e Smith, tregu shqiptar i mbizotëruar nga "7 motrat shqiptare" (të cilat të cituara akronomikisht janë: T.K.V.E.M.G.R) nuk arrin t'u bindet këtyre mekanizmave duke abuzuar nëpërmjet veprimit të "dorës së pandershme" të spekulimit, spekulimit tregtar.
Ku duket spekulimi?
Mjafton një krahasim për të kuptuar nivelin e spekulimit në tregun shqiptar. Janë dy faktorët që ndikojnë në çmimin e naftës në tregun shqiptar:
1- çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare,
2- kursi i këmbimit të lekut me dollarin.
Bazuar në këto dy faktorë, nëse do të bëjmë krahasimin e çmimit të naftës me vitin 2003, mund të arrijmë në përfundimin se abuzimi është në nivele të larta. Kështu në janar të vitit 2003, çmimi i naftës bruto në botë ka qenë mesatarisht 32 dollarë për fuçi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursi zyrtar i këmbimit në janar të vitit 2003 ka qenë 1 USD = 133,72 ALL. Po të bëjmë llogaritë, çmimi i një fuçie nafte të konvertuar në lekë është 32 USD * 133,72 = 4279 ALL për fuçi. Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare u reflektua në mënyrë të drejtpërdrejte dhe menjëhershme në tregun shqiptar. Aktualisht, çmimi i një fuçie në tregjet ndërkombëtare ka rënë mesatarisht në 52 dollarë për fuçi. Kursi i këmbimit sot lek-dollar është 1 USD = 95,09 lekë. Si pasojë, çmimi i një fuçie nafte e tregut ndërkombëtar e shprehur në lekë është 52 * 95,09 = 4945 lekë për fuçi. Sipas llogarive, çmimi i një fuçie nafte në këtë treg, gjatë 5 viteve të fundit është rritur nga 4279 lekë në 4945 lekë, duke shënuar një rritje prej 15,5%. Nëse tregu do të kishte qenë normal dhe konkurrent çmimi i naftës duhet të ishte rritur me 15.5% në tregun shqiptar krahasuar me vitin 2003. Në fillim të vitit 2003 një litër naftë shitej mesatarisht 65 lekë për litër. Një litër naftë sot duhej të shitej mesatarisht 75-90 lekë për litër. Situata në treg është ndryshe: një litër naftë shitet për 130 lekë për litër. Kjo na bën që të dyshojmë (theksoj se, atributin e pohimit e kanë institucionet përkatëse shtetërore) se tregu i naftës në Shqipëri ka trajtën e një karteli, rrjedhojë e një marrëveshje të fshehtë midis firmave oligopoliste që kontrollojnë sot tregun. Jam i detyruar të përsëris përkufizimin e kartelit: një numër i kufizuar firmash që merren vesh midis tyre në mënyrë të fshehtë për të kufizuar produktin, paracaktimin e çmimit për njësi dhe për të maksimizuar fitimin e tregut duke u sjellë si monopolist i vetëm. Në rastin e Shqipërisë këto shtatë firma nëpërmjet çmimit spekulativ maksimizojnë fitimin e tyre në dëm të drejtpërdrejtë të konsumatorit shqiptar, biznesit të lidhur indirekt me to dhe ekonomisë në tërësi (padyshim edhe në dëm të imazhit të kësaj qeverie, e cila ka qenë dhe është politikisht e distancuar nga këto politika tregu).
Për të kuptuar këtë nuk është e nevojshme të hetojmë nëse ka apo jo një marrëveshje të shprehur mes grosistëve, por mjafton një analizë e thjeshtë ekonomike si kjo më sipër, që jam i bindur e ka bërë pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë. Përveç të tjerash, rënia e çmimeve në tregun ndërkombëtar do të ndizte luftën për përfitim midis grosistëve shqiptarë. Ky përfitim do të reflektohej në zënien e pjesëve të tregut nëpërmjet uljes së çmimeve. Sot asnjë kompani nuk synon pjesë tregu, por thjesht synojnë përfitime nëpërmjet mbajtjes së çmimeve në nivele të larta. Por sot është shumë i dukshëm reagimi në bllok i këtyre kompanive. Kur çmimet rriten të gjithë tregtarët i rrisin menjëherë dhe pak a shumë në të njëjtën masë. Po njësoj, kur çmimet bien të gjithë reagojnë në bllok, duke mos i ulur ose duke bërë ulje të papërfillshme pothuajse në të njëjtën kohë.
Pra, performanca nga këto kompani në tregun e hidrokarbureve që nënkupton fitimin dhe mirëqenien sociale që rezulton nga aktiviteti në këtë degë të tregtisë rezulton performancë e shëmtuar.
Çfarë duhet bërë?
Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që tregu i hidrokarbureve në Shqipëri është krijuar i deformuar dhe është ruajtur i tillë nga qeverisja socialiste në periudhën 1998-2005. Ky deformim i përforcuar pikërisht atëherë kur duheshin hedhur bazat e një tregu konkurrencial, krijoi një strukturë tregu duopolistike e vështirë për t'u shembur. Këtu janë për t'u përshëndetur dhe lavdëruar përpjekjet e qeverisë gjatë vitit 2005 e në vazhdim, dhe veçanërisht Ministrisë së Ekonomisë, në drejtim të liberalizimit të licencave të tregtimit, privatizimit me sukses të ARMO-s, eliminimin e barrierave burokratike, afrimin e investitorëve të huaj në këtë sektor, përmirësimin e kuadrit ligjor etj. Por përsëri mosndryshimi i kësaj situate duhet të na bëjë të pakënaqur e kërkues për më tej. Nisur nga situata shqetësuese e tanishme me këto deformime flagrante, të cilat në finale dëmtojnë konsumatorin shqiptar dhe ekonominë, mendoj se duhet të ndërhyjmë në tre drejtime:
E para, është detyrë e organeve tatimore dhe doganore pranë Ministrisë së Financave që këtë çështje mos ta shohin ngushtësisht në faktin e plotësimit apo realizimit të planit të tyre të të ardhurave, por ta shohin më gjerë në impaktin që kanë këto çmime në ekonominë shqiptare. Këtu nuk do justifikoja asnjë mbrojtje apo justifikim që përfaqësues të lartë të organeve doganore, të cilët në ndonjë rast kanë bërë avokatin e grosistëve të naftës. Administrata fiskale dhe doganore duhet të ndjehet pjesë e një ekipi të gjerë qeverisës, që ka si qëllim jo thjesht e vetëm mbledhjen e të ardhurave me çdo çmim, por të ushtrojnë politika për zhvillimin perspektiv të ekonomisë që gjeneron konkurrencë të ndershme në luftë me çdo operator që tenton deformimin e tij.
E dyta, duke vlerësuar punën e mirë të Ministrisë së Ekonomisë dhe qeverisë në përgatitjen e ligjit nr. 9902, datë 17/04/08 "Për mbrojtjen e konsumatorëve" në përmbushjen e qëllimeve të këtij ligji që është mbrojtje e interesave të konsumatorëve në treg, si dhe përcaktimi i rregullave dhe ngritja e institucioneve përkatëse për të mbrojtur të drejtat e konsumatorëve do të kërkoja ekzigjencë të lartë, rrjedhojë e detyrimeve të nenit 50 të ligjit në fjalë, nga institucioneve të tilla si Këshilli Bashkërendues apo Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve (agjenci këto nën kontrollin qeveritar) që në bashkëpunim me shoqatat vullnetare të konsumatorëve e cilindo konsumator qytetar shqiptar të marrin masa bashkërenduese për mbrojtjen e konsumatorëve, apo për hartimin e kodeve të sjelljes ose kontratave standarde në bashkëpunimin me operatorët ekonomikë (detyrim ky i shprehur qartë dhe në neni 45). Operatorët shqiptarë kanë nevojë të disiplinohen, të përmirësojnë rrënjësisht KODIN E SJELLJES me konsumatorët, i cili në thelb nuk është gjë tjetër veçse (citoj përkufizimin e dhënë në nenin 3) "një marrëveshje ose paketë rregullash të pasanksionuara në ligje, rregullore apo dispozita administrative që marrin përsipër t'i binden kodit për një ose më shumë praktika të veçanta tregtare ose sektorë biznesi".
Së treti, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si përfaqësues më të lartë të interesave të publikut, duke vlerësuar pozitivisht punën e deritanishme profesionale, ekipin drejtues të komisionerëve të Autoritetit të Konkurrencës, edhe në hetime të mëparshme në raste të ngjashme duhet t'iu japim mbështetjen tonë të plotë parlamentare në përfundimin në kohën e përshtatshme të hetimit, që prej muajsh me të drejtë ky institucion ka hapur për tregun e hidrokarbureve në Shqipëri, për ato firma që qytetarët shqiptarë dyshojnë se operojnë në bazë të marrëveshjeve të fshehta në dëm të konsumatorëve, të biznesit, të kësaj qeverie dhe të krejt ekonomisë. Personalisht kam besimin se Autoriteti do të zbatojë me korrektesë e profesionalizmin që ka treguar këto dy vitet e fundit, kërkesat e ligjit nr. 9121, datë 28/07/2003 "Për mbrojtjen e konkurrencës", si një ligj antitrust me tri shtylla kryesore: papajtueshmëri me abuzimin me pozitën dominuese; moslejimin e krijimit të karteleve; dhe kontrollin e përqendrimeve.
A duhet apo a ka të drejtë Qeveria të mbrojë të drejtat e konsumatorëve në tregun e hidrokarbureve. Fared Zakaria në veprën e tij "E ardhmja e Lirisë" pohon: "Në fund të fundit, pa një qeveri të zonjë për të mbrojtur të drejtat mbi pronën dhe të drejtat e njeriut, lirinë e shtypit dhe kontratat e biznesit, ligjet antitrust dhe kërkesat e konsumatorit, shoqëria nuk do të ketë sundim të ligjit, por ligjin e më të fortit".
E ne duam një shoqëri që të sundojë ligji edhe në mbrojtjen, prosperitetin e konsumatorit-qytetarëve shqiptarë, një shoqëri që zhvillon karakteristikat më të mira të demokracisë liberale.