E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, prezantohet regjistri i ri elektronik i Gjendjes Civile

 

Duke filluar nga mesi i muajit dhjetor, të gjitha zyrat e gjendjes civile në të gjithë vendin do të përdorin regjistrin elektronik të shtetasve. Ministria e Brendshme, OSBE dhe delegacioni i Komisionit Evropian prezantuan dje regjistrin, duke hedhur një hap drejt përmirësimit të standardeve për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch, tha se prova e vërtetë për sistemin e ri do të jetë zbatimi i saktë dhe i përditshëm nga zyrat e gjendjes civile. "Ne përshëndesim dhe përgëzojmë punën e madhe që është kryer nga stafi i Ministrisë dhe i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në përgatitjen e regjistrit të ri", u shpreh ai. Ambasadori Bosch e vlerësoi këtë hap edhe si një mbështetje të rëndësishme për reformën elektorale, konkretisht prodhimin e listave të zgjedhësve, duke nënvizuar ndërkohë se është e nevojshme që në vijimësi t'i kushtohet kujdes përditësimit të të dhënave e po kështu edhe mbrojtjes së të dhënave personale. Nga ana e tij zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, theksoi se përfundimi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile shënon përfundimin e një faze shumë të rëndësishme që lidhet me sigurinë e identitetit të shtetasve dhe lehtësim në verifikimin e identitetit të shtetasve, si dhe krijimin e kushteve shumë kohë para zgjedhjeve për krijimin e listave të zgjedhësve në nivel qendror e lokal. "Kjo gjithashtu shënon edhe bazën e sigurt për ecurinë dhe suksesin edhe të projekteve të tjera shumë të rëndësishme, veçanërisht atij të prodhimit dhe shpërndarjes të dokumenteve të identitetit, letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, dhe të konsolidimit të sistemit të adresave në Shqipëri", deklaroi Poni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›