E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimi për Zamir Podën, nis gjykimi

 

Gjykata Kushtetuese nisi dej shqyrtimin e kërkesës së 30 deputetëve për veprime antikushtetuese të Kuvendit me rastin e zgjedhjes së Zamir Podës, në postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë. I gjithë debati dje në Gjykatën Kushtetuese u përqendrua në përcaktimin e shumicës së votave të Kuvendit në rastet e votimeve të dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Përfaqësuesi i deputetëve që i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Vangjel Kosta u shpreh se me vullnet të plotë, Kuvendi ka shtrembëruar vendimin e marrë nga komisioni i votimit, i cili shpalli fitues Zamir Podën, pas votimit të fshehtë të deputetëve, duke e votua atë me 65 vota pro, 62 vota kundër, 1 votë abstenim dhe 2 vota të pavlefshme. Ai e ka konsideruar të papranueshëm anulimin që deputeti republikan Arjan Madhi, i cili ishte kryetar i komisionit të votimit në Kuvend i bëri vendimit të shpallur prej tij pak orë më parë para deputetëve të Kuvendit. Sipas tij, ai duhet të respektonte vendimin e nxjerrë nga vota dhe të bazuar në rregulloren e Kuvendit për mënyrën e nxjerrjes së rezultatit të votimit. Përfaqësuesi i deputetëve që iu drejtuan Gjykatës, kërkoi prej saj zgjidhjen e konfliktit të kompetencave dhe njëherësh sqarimin e termave "shumicë e thjeshtë", "shumicë relative" dhe "shumicë absolute". Gjykata pritet të japë vendimin e saj në një afat kohor të papërcaktuar nga ligji.        a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›