E Hënë, 2 Nëntor 2026

ARMO shkel marrëveshjen, lë peshkatarët pa punë

19/03/2005  Rritja e çmimit të naftës, zhvlerëson heqjen e akcizës

DURRËS – Kompania ARMO nuk respekton kontartën me peshkatarët, ndërsa sektori i peshkimit në Durrës është përfshirë në krizën e thellë të aktivitetit për shkak të rritjes së çmimit të naftës në treg. Që prej disa ditësh, në Durrës është vërejtur paralizë e aktivitetit të peshkimit, duke shtyrë pronarët të kërkojnë ndihmën e qeverisë, e cila nuk u ka dhënë asnjë shpresë për të marrë përsipër shqetësimin e tyre për çmimin e lartë të naftës, që ata detyrohen të blejnë.

Kontrata

Megjithëse në tërësi flota e peshkimit në vendin tonë ka fituar të drejtën për t’u furnizuar me naftë pa akcizë, kjo nuk ka mundur të zgjidhë krizën, duke bërë që shumë anije dhe peshkatore të presin uljen e çmimit të tregtimit të naftës, e cila ka pësuar rritje të menjëhershme në vendin tonë, sapo është mësuar kurba në rritje e çmimit në tregun botëror.

Krahas gjendjes jo të favorshme teknike të shumë anijeve të peshkimit, për shkak të vjetërsimit, atyre do t’u duhet të përballojnë me shpenzimet e tyre rritjen e çmimit të naftës, ndërkohë që kompania furnizuese me karburant nuk merr përsipër të mbajë të pandryshuar tregtimin e naftës për sektorin e peshkimit. Kompania ARMO, e cila ka lidhur kontratë me flotën për furnizmin me naftë pa akzicë, ka rritur çmimin e tregtimit të naftës, duke iu referuar koniunkturës ndërkombëtare të tregtimit të naftës.

Sipas drejtorisë së peshkimit, heqja e akcizës së naftës për ta është shumë më e vogël sesa rritjet e herëpashershme të çmimit të naftës, gjë që rëndon te konstoja për të përballuar shpenzimet.

Nevojat

Anijet kryesore të peshkimit janë përqendruar në Durrës, ku edhe është ndier më shumë kriza. Por, fenomeni ka prekur edhe anijet e peshkimit në portin e Shëngjinit, Vlorës dhe Sarandës, të cilat blejnë naftë me çmim të lartë. Në Durrës mësohet se janë rreth 100 anije peshkimi dhe motopeshkatore, por që 40 për qind e tyre qëndrojnë të lidhura në kalata, vetëm për shkak të mospërballimit të çmimit të naftës.

Sipas pronarëve të anijeve, çdo blerje mbi 40 lekë për litër është e pamundur, ndërkohë që, pas rritjes së çmimit në treg, nafta blihet me 65-70 lekë, duke i hequr akcizën. Në drejtorinë e peshkimit është llogaritur se flotës i duhet jo më pak se 25 milionë litra naftë në vit dhe, sipas kontratës, kjo sasi duhet të afrohet nga kompania ARMO.

Pasojat

Anijet e peshikimit në vendin tonë janë më moshë të plakur, pasi, nisur nga koha e prodhimit të tyre, ato kanë një moshë mesatare mbi 25-vjeçare. Kjo ka ndikuar drejtprdrejtë në uljen e rendimentit të punës dhe në shtimin e shpenzimeve për të mbajtur gjallë aktivitetin e flotës, ndërkohë që rritja e çmimit ka shtuar edhe më tej vështirësitë e flotës.

Mbijetesa ka shtyrë edhe gjetjen e rrugëve të kontrabandës së naftës, pasi ata pronarë anijesh, që kanë mundur të blejnë naftë nga këta tregtarë kanë përfituar nga çmimi i favorshëm, i cili afrohet pa akcizë.

Nga ana tjetër rritja e çmimit të karburantit ka ndikuar drejtprdrejtë në rritjen e çmimit të tregtimit të peshkut dhe kjo për të mbuluar shpenzimet.

Sipas statistikave mësohet se prodhimi vjetor i zënies së peshkut në ujërat tona është 2 mijë tonë në vit dhe sektori i peshkimit në Durrës mbulon 45 për qind të sasisë së përgjithshme vjetore.

40 lekë për litër

çmimi normal i naftës pa akcizë

65-70 lekë për litër

çmimi aktual i shitjes së naftës pa akcizë

25 milionë litra naftë në vit

nevojat e flotës së peshkimit në Durrës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›