E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Luftoni trafiqet, të hyni në BE”

19/03/2005  Britanikët çertifikojnë policë e doganierë antitrafik

DURRËS – Kushti i luftës ndaj trafiqeve e korrupsionit, që duhet të plotësojë Sdjqipëria për të hyrë në BE, është përmendur sërish gjatë ceremonisë në portin e Durrësit, ceremonia për shpërnadrjen e çertifikatave për disa punonjës policie dhe doganierë të kualifikuar nga specialistë të huaj. Trajnimi i ideuar dhe realizuar nga ambasada britanike në Tiranë dhe CAM-Albania në fushën e kontrollit të automjeteve në zona doganore ka përfshirë punonjës policie dhe doganierë të disa komisariateve dhe pikave doganore.

Për një përiudhë 3-javore, 30 policë e doganierë janë trajnuar nga specialistë të misioneve speciale për trajnimin e personelit dhe financimin në logjistikën e nevojshme për zbulimin e bllokimin e trafiqeve të jashtëligjshme. Gjatë ceremonisë u bë e ditur se për kualifikimin e policëve e doganierëve, si dhe për blerjen e pajisjeve të nivelit bashkëkohor janë financuar nga ndërkombëtarët 450 mijë euro.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Shpëtim Idrizi, ka thënë se kualifikimi i punonjësve të doganave dhe policisë është pjesë e nismës së ndërmarrë nga komisioneri Kris Paten, në kuadër të luftës së shpallur kundër krimit të organizuar.

Në ceremoni kanë marrë pjesë, krahas krerëve të lartë të doganës shqiptare, edhe ambasadori britanik në vendin tonë, Richard Jones, si dhe përfaqësuesi i CAM-Albania, Guilio Planera.

Bllokimi i trafiqeve të paligjshme të të gjitha llojeve është cilësuar si domosdoshmëri dhe kusht për të qenë edhe vendi ynë pjesë e integrimit drejt vendeve perëndimore me standarde të larta të menaxhimit të doganave dhe policisë.

Për ambasadorin britanik në vendin tonë, “nuk mjafton vetëm dalja nga sistemi totalitar, por duhet edhe krijimi i administratave të afta e të besueshme si partnere të denja. E ardhmja e Shqipërisë drejt itegrimit në BE kushtëzohet në mënyrë të veçantë në luftën kundër të gjitha trafiqeve të jashtëligjshme”, u shpreh ambasadori Richard Jones.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›