E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet i kërkuari, ishte dënuar me 13 vjet në mungesë

19/03/2005  Fier/ Pranga dhe dy të kërkuarve të tjerë

FIER - Uniformat e komisariatit të Fierit në orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë arrestuar shtetasin Eduart Rama, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Baltëz, i komunës Qendër, Fier. Rama ka qenë kontigjent i shpallur në kërkim nga ana e policisë së Fierit, pasi me vendim të formës së prerë të gjyqësorit ishte dënuar në mugesë me 13 vjet heqje lirie nën akuzën e vjedhjes së një banese në bashkëpunim me shtetas të tjerë dhe me armë, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2001. Sipas informacioneve policore, ky shtetas, pas aktit të kryer në bashkëpunim me dy persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk jepen për shkak të hetimit, është larguar drejt Greqisë, ku ka qëndruar deri dy javë më parë. Dje në orët e para të mëngjesit, pas një aksioni të organizuar dhe të drejtuar nga shefi i krimeve të këtij komisariati, Artion Duka, ai është arrestuar në banesë. Fillimisht autori ka dashur të largohet, duke tentuar të hidhet nga dritarja e banesës, por policiët e antikrimit sapo është hedhur nga dritarja e kanë neutralizuar, duke i hedhur prangat. Burimet e asaj kohe saktësuan se ky shtetas, në bashkëpunim me dy të tjerë dhe nën kërcënimin e armëve, është futur në banesën e një bashkëfshatari të vetë, ku ka vjedhur sende të çmuara dhe një sasi të konsiderueshme lekësh. Gjithashtu, në Greqi, ai kishte bërë një vit burg. Në harkun e 24 orëve, policia e Fierit ka ndaluar edhe dy shtetas të tjerë, të cilët ishin shpallur persona në kërkim për vepra penale të ndryshme. Besnik Tafa, 46 vjeç, nga fshati Zhupan, i rrethit të Fierit, me një vendim të gjykatës së Fierit ishte dënuar me tre vjet heqje lirie, për shkak kryerjes së veprës penale të shkatërrimit të pronës së një shtetasi tjetër me dashje. Një orë më vonë është ndaluar edhe shtetasi L.XH., 57 vjeç, nga fshati Zharrëz, po i Fierit, i cili ishte dënuar, për plagosjen e një shtetasi, me 40 ditë burg.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›