E Hënë, 2 Nëntor 2026

Radha të gjata që në mëngjes, për një çertifikatë me 300 lekë

19/03/2005  Vetëm dy punonjës të gjendjes civile, për 30 mijë banorë

Kryetari i rajonit, Lulëzim Shahinaj, sqaron se, për situatën e krijuar, është njoftuar edhe Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit së bashku me kërkesën për të shtuar një punonjës të gjendjes civile. Përgjigjja e ministrit ka qenë negative, duke rekomanduar bashkinë për të punësuar nga fondi një punonjës, sqaron Shahinaj

ELBASAN - Krizë për marrje çertifikatash në Elbasan. Radhët fillojnë që në 03.00 të mëngjesit dhe gjithkush tenton të korruptojë një nga punonjësit e rajonit për të marrë një çertifikatë. Dy punonjës të gjendjes civile duhet të mbushin çdo ditë mbi 300 çertifikata, ndërsa duhet të kujdesen edhe për procesin e hedhjes së listave zgjedhore.

Kështu ndodh në rajonin nr.5 të qytetit të Elbasanit, zona më e madhe për nga popullsia, me rreth 30 mijë banorë. Gjatë dy muajve të fundit, në këtë njësi vendore radha ka vazhduar pa fund, aq sa qytetarët qëndrojnë me ditë të tëra për të marrë një çertifikatë. Kryetari i këtij rajoni, Lulëzim Shahinaj, sqaron se për situatën e krijuar është njoftuar edhe Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit së bashku me kërkesën për të shtuar një punonjës të gjendjes civile. Përgjigjja e ministrit ka qenë negative, duke rekomanduar bashkinë për të punësuar nga fondi një punonjës, sqaron Shahinaj.

Nga ana e saj, bashkia ka kërkuar rritjen e tarifës së çertifikatës, por kjo nuk është pranuar nga ministria, duke e lënë situatën pezull.

Periudha më e vështirë për punonjësit e gjendjes civile kanë qenë shkurti dhe marsi me nisjen e procesit të legalizimit të banesave.

Në këtë rajon, më shumë se 40 për qind e territorit përbëhet nga zonat informale, duke e bërë edhe më të ngarkuar punën e gjendjes civile. Shahinaj ka akuzuar Ministrinë e Pushetit Vendor për indiferencën që po tregon në drejtim të kërkesës për të shtuar një punonjës. Vështirësitë i kanë kaluar përmasat normale për dy punonjëset e gjendjes civile, të cilat kanë hasur mjaft probleme gjatë këtyre ditëve përballë kërkesave dhe sidomos përballë presionit të nevojave të qytetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›