E Diel, 1 Nëntor 2026

Pekin 2008, sportistët shqiptarë Trasha dhe Topalli, dështim pa lënë shenjë në Olimpiadë

Autori i Lajmit: red.
Ditë ters e marta për olimpistët shqiptarë. Madje, pa lënë aspak shenjë ose më saktë vetëm zhgënjim. Peshëngritësi Gerti Trasha, nuk arriti të gjente frymëzimin e nevojshëm 24 orë pas suksesit të jashtëzakonshëm të Romela Begajt, vendi i gjashtë në Olimpiadë në peshën 58 kg për femra. Elbasanasi, i konsideruar edhe si “Luan Shabani i Ri”, dhe që garonte në peshën 69 kg, nuk arriti të realizonte asnjë nga tri provat që pati në dispozicion të tij në stilin e shkëputjes, duke u skualifikuar për të vazhduar garën për stilin e shtytjes e për të përmbushur objektivin e deklaruar prej tij para fillimit të Olimpiadës, për të qenë në 8-shen më të mirë të peshës 69 kg. Në fakt, strategjia e trajnerit të tij, Ilir Çelaj, duhet pranuar se ishte e saktë, pasi Çelaj, prej 14 vjetësh trajner i ekipit kombëtar vendosi që shtanga e Trashës të kishte peshën 136 kg ose 4 kg më pak, sesa Gerti kishte ngritur në Kampionatin Evropian të Linjanos (140 kg), atje ku dhe siguroi pjesëmarrjen për herë të dytë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. Nuk dihet nëse kanë ndikuar faktorë psikologjikë në performancën e Trashës, por paraqitja e tij la një përshtypje të keqe në ambientin sportiv shqiptar. Katër vjet më parë, në “Athinë 2004”, Gerti Trasha, atëherë 16-vjeçar nuk pati rezultate të mira, duke zënë vendin e 13-të në peshën 62 kg, duke ngritur 115 kg në shkëputje, 140 kg në shtytje, 255 kg në total. Por nëse në pjesëmarrjen e tij të parë në Lojërat Olimpike, mund të konsiderohej edhe si një rezultat i arritur nga një djalosh ambicioz, tashmë 20-vjeçari, i vetmi sportist kuqezi, që posedon pasaportë greke, jo vetëm që dështoi në shtangën me peshë 136 kg, por diferenca me kampionin olimpik, të paktën në stilin e shkëputjes ishte shumë e madhe, pasi kinezi 20-vjeçar ngriti 158 kg, por dhe 190 kg në stilin e shtytjes, duke fituar medaljen e artë. Gjithsesi, për peshëngritësin tonë ka një ngushëllim të vogël, pasi nuk ka qenë i vetmi ndër 30 sportistët e peshës së tij, por bashkë me Trashën nuk janë kualifikuar edhe pesë shtangistë të tjerë, përfshirë edhe kinezin 28-vjeçar Shi Zhijong ( i tërhequr në stilin e shtytjes), rumunin Rosu, italianin De Luka, kolumbianin Moskuera dhe koreanojugorin Lee.
Erkand Qerimaj sot beteja për konfirmim
Të mërkurën do të garojë peshëngritësi i tretë dhe i fundit shqiptar, Erkand Qerimaj, 3-herë nënkampioni i botës për të rinj në tri vitet e fundit: 2006 (Kinë), 2007 (Çeki) e 2008 (Kolumbi). Shkodrani, i cili festoi më datën 10 gusht ditëlindjen e 20-të të tij në fshatin olimpik, është shpresa e fundit për Shqipërinë për ndonjë vend elitar, të paktën në atë që u rendit Begaj. Qerimaj, peshëngritësi i 3-të dhe i fundit i këtij lloj sporti nga Shqipëria në Lojërat Olimpike Pekin 2008 , do të konkurrojë sot (13 gusht) në dygarëshin e stilit të shkëputjes dhe shtytjes për peshat 77 kg. 20-vjeçari nga Shkodra, nën fanellën kuqezi është vlerësuar me 5 medalje argjendi në kampionatet e ndryshme jashtë vendit dhe duket se është shpresa e fundit për medalje në këtë kategori. Fidel Ylli, shefi i delegacionit shqiptar në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, njoftoi në një bisedë telefonike se "sportisti është në regjim pas përfundimit të një seance stërvitore". “Ne shpresojmë në përgatitjen dhe objektivat që i ka vënë vetes Erkandi, i cili tani ndodhet nën mbikëqyrjen e mjekut specialist”, - tha ai.

E mërkura është dita më e ngjeshur për olimpistët tanë në Lojërat Olimpike, pasi më datën 13 gusht do të garojnë 3 sportistë: Said Prizreni në mundjen e lirë (65 kg); qitësja Lindita Kodra, pistoletë 25 metra me zjarr dhe peshëngritësi Erkand Qerimaj në peshën deri në 77 kg.

Pjesëmarrja dhe titujt e Qerimajt

Viti 2005, Kampionati Evropian në Sofje (Bullgari), për moshat nën 17 vjeç, pesha 69 kg, titulli nënkampion Evrope, vlerësohet me medalje argjendi. Viti 2005, Kampionati Evropian për të rinj në Trencing (Sllovaki), pesha 69 kg, titulli nënkampion Evrope, vlerësohet me medalje argjendi. Viti 2006, Kampionati Botëror për të rinj në Kinë, pesha 69 kg, titulli nënkampion bote, vlerësohet me medalje argjendi. Viti 2007, Kampionati Botëror për të rinj në Pragë (Çeki), pesha 69 kg, titulli nënkampion bote, vlerësohet me medalje argjendi. Viti 2008, Kampionati Botëror për të rinj në Cali (Kolumbi), pesha 69 kg, titulli nënkampion bote, vlerësohet me medalje argjendi.

Sportistët shqiptarë për të garuar

QITJE: Lindita Kodra
25 m pistoletë me zjarr: 13 gusht (09:00-14:00)

PESHËNGRITJE: Erkand Qerimaj, 77 kg: 13 gusht (19:00-20:40)

ATLETIKA: Klodiana Shala, 400 m: 16 gusht (12:00-13:00)

Dorian Çollaku, çekiç: 16 gusht, (10:40-11:40)

MUNDJE: Said Prizreni, M.e lirë, 65 kg: 13 gusht (09:30-10:30)

Elis Guri. M.klasike, 96 kg: 14 gusht (09:30-10:30)

NOT: Sidni Hoxha, 50m/stil i lirë: 14 gusht (18:30-18:58)

Rovena Marku, 50m/stil i lirë: 15 gusht (18:30-18:53)

Qitje-Kodra sot në disiplinën e saj

Lindita Kodra, Kampione e Evropës në qitje, titull të cilin e fitoi një vit më parë në Granada të Spanjës, ku mori edhe Medaljen e Artë, do të konkurrojë nesër në stilin 25 metra pistoletë sportive, në Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Pekin. Sportistja 46-vjeçare ishte përfaqësuesja e parë e delegacionit shqiptar që konkurroi më 10 gusht në Olimpiadën e Pekinit. Në stilin 10 metra pistoletë në ajër ajo u rendit e 40-a midis 44 konkurrenteve që morën pjesë në këtë garë.

Xhudo

Edmond Topalli garë e dobët

Edmond Topalli, 27-vjeçari nga qyteti i Shkodrës, u skualifikua të martën në kategorinë e xhudos në peshën 81 kg, në kuadër të Lojërave Olimpike Pekin 2008 . Fidel Ylli, shefi i misionit të delegacionit olimpik shqiptar, në një prononcim telefonik e cilësoi ndeshjen e sportistit shqiptar si “ të dobët“ duke shtuar se “për të gjithsesi nuk ishte e lehtë të mundte kundërshtarin portugez, njëherazi dhe nënkampion Evrope”. “Xhudo në Shqipëri është një sport i ri që nuk ka traditë, por jam i bindur se kjo humbje do t i shërbejë Topalllit si një ekperiencë për aktivitetet sportive në vijim“, - përfundoi Ylli.

Pjesëmarrja, titujt:

Në vitet 1999-2007 kampion kombëtar për peshat 81 kg dhe 90 kg
Viti 2003, pjesëmarrës në Kampionatin Ballkanik në Beograd (Serbi)
Viti 2005, pjesëmarrës në Kampionatin Ballkanik në Stamboll (Turqi)
Viti 2006, pjesëmarrës në Kampionatin Ballkanik në Maqedoni
Viti 2006, pjesëmarrës në Kampionatin Evropian në Finlandë
Viti 2007, pjesëmarrës në Kampionatin Evropian Beograd (Serbi)
Viti 2008, pjesëmarrës në Kampionatin Botëror Gjermani
Viti 2007, pjesëmarrës në Kampionatin Botëror, Itali
Viti 2007, pjesëmarrës në Kampionatin Botëror, Angli
Është shpallur kampion në turne ndërkombëtare.
Ky lajm është publikuar: 13/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›