AS: Shqipëria, në delir për vizitën e Realit të Madridit
Në Shqipëri nuk është e vështirë të vëresh eksitimin dhe entuziazmin për shkak të vizitës së afërt të gjigantit spanjoll të futbollit, Realit të Madridit në kryeqytetin, Tiranë. Lajmin e ka konfirmuar në edicionin e djeshëm të saj e përditshmja prestigjioze sportive spanjolle, "AS". Sipas saj, klubi madrilen ka arritur një marrëveshje me Rezart Taçin, drejtor i përgjithshëm i kompanisë së naftës, "Taçi Oil International", dhe organizator i "Taçi Oil Cup", për të zhvilluar një ndeshje enkas me këtë rast më 21 dhjetor 2009. Ky ishte një lajm i shumëpritur për shqiptarët, shkruante dje "As", e cila nënvizon faktin se Reali ka shumë fansa. Tashmë janë të gjithë ata që nuk dëshirojnë ta humbin këtë shans për të parë Kristiano Ronaldon, Kakanë&Co. Manjati shqiptar, 38 vjeç, kishte paralajmëruar synimin e tij ambicioz që në tetorin e kaluar në një intervistë të dhënë për "La Gazzetta dello Sport": "Unë do të shkoj në stadiumin ‘Bernabeu‘ për të parë ndeshjen Real Madrid-Milan. Ëndrra ime është që të shikoj skuadrën e Pelegrinit të vijë në Tiranë për luajtur në trofeun ‘Taçi Oli‘". Dhe u tha u bë... Më rastin e takimit të Champions League, palët arritën një marrëveshje, në bazë të së cilës Reali do të duhet të paraqitet në Tiranë me të gjithë yjet më të mëdhenj të tij. Termat financiare të propozimit joshës të Taçit kanë tunduar madrilenët, në arkën e të cilëve do të duhet të përfundojë një shumë e majme prej 2.5 milionë eurosh. Kjo ndeshje do të zhvillohet pak para mbylljes së fazës së parë të La Liga 2009-2010 në prag të Krishtlindjeve (24 orë përpara se Reali të luajë në ‘Bernabeu‘ kundër Zaragozës". Megjithatë, pavarësisht se marrëveshja është mbyllur, sipas "AS" ende nuk janë sigluar edhe detajet përfundimtare. Arsyeja është se klubi i "los blancos" është duke pritur të marrë edhe garancinë bankare, që vërteton këtë shpenzim të madh. Kundërshtari i Realit do të jetë Gramozi i Ersekës, klubi i Kategorisë Superiore shqiptare (pas 10 javëve të para është i nënti në një kampionat me 12 skuadra) dhe ka për pronar Mustafa Taçin, babanë e Rezartit. "Ne shpresojmë në ardhjen e skuadrës së galaktikave. Ata do të përballen me Gramozin në stadiumin ‘Qemal Stafa‘ në orën 19:00", ka konfirmuar pak ditë më parë vetë Taçi. Pjesa e madhe e ekipit do të përbëhet nga lojtarët aktualë të Gramozit, por atyre do t‘u bashkohen edhe lojtarë të tjerë të kampionatit shqiptar. Më 21 dhjetor, "Taçi Oil Cup" do të luajë edicionin e tretë. Në dy të mëparshmet ishte Milani, që humbi 2-1 më 14 tetor 2008 ndaj Tiranës dhe fitoi trofeun më 12 maj 2009 kundër një seleksioni të Kombëtares shqiptare 7-8 pas gjuajtjes së penalltive (3-3 ishte rezultati i kohës së rregullt). Sipas të përditshmes "As", disa pjesëtarë të klubit "Miqtë e Madridit" në Shqipëri, i janë drejtuar klubit spanjoll me një kërkesë zyrtare për të marrë më shumë informacione rreth miqësores së 21 dhjetorit, duke qenë se në vendin tonë ende nuk ka ardhur ndonjë konfirmim nga ana e klubit "merengues".
A. Manallari
A. Manallari