E Diel, 1 Nëntor 2026

Viroza e gripit, më e rëndë se kurrë ndonjëherë

Më shumë se për gripin e derrit, autoritetet shëndetësore paraqesin shqetësim më të madh për gripin e zakonshëm.

Viroza që ka prekur një pjesë të mirë të popullatës po përhapet me shpejtësi, ndërsa ka mbërritur para afateve të parashikuara. Instituti i Shëndetit Publik sqaron se periudha e qarkullimit të gripit nis në dhjetor dhe përfundon në muajin mars. Ndërkohë që koha e virozës këtë vit është përafruar, duke nisur që në muajin nëntor. Nga java në javë, Instituti i Shëndetit Publik raporton se kemi shtim të rasteve të të prekurve nga viroza e stinës dhe shtim të infeksioneve respiratore.

Viroza

Vetëm javën e fundit infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes janë shtuar me 13 për qind. Ndërkohë që dje, ministri i Shëndetësisë ka sqaruar se Shqipëria ndodhet në një situatë të re epidemike dhe problem mbetet viroza e stinës, e cila këtë vit është edhe më e rëndë se sa vitet e kaluara. Të dhënat e departamentit të epidemiologjisë pranë ISHP-së kanë vërejtur se viroza shkakton temperaturë të lartë, komplikacione dhe është e ndryshme nga ajo e viteve të kaluara.

Rastet e pacientëve me virusin e gripit të zakonshëm kanë paraqitur komplikacione, ndryshe nga vitet e tjera. Viroza është më e ashpër dhe e shoqëruar me temperaturë të lartë.

Ulja e temperaturave, ka sjellë një situatë të re epidemike, e cila është karakterizuar me shtimin e rasteve me virusin pandemik AH1N1, por veçanërisht edhe me atë stinor. Ministri i Shëndetësisë ka sqaruar dje, se strukturat shëndetësore shqiptare janë në gatishmëri të plotë dhe po monitorojnë me kujdes të veçantë situatën aktuale, ndërsa ka këshilluar të gjithë qytetarët të mos hezitojnë për asnjë çast të komunikojnë me mjekun e familjes, por, në të njëjtën kohë, të respektojnë të gjitha masat parandaluese.

Gripi i derrit

Deri dje në mesditë, laboratori i virologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik nga mostrat e analizuara ka raportuar edhe 23 raste të reja të prekurish nga gripi i derrit. Bashkë me konfirmimet e reja në vendin tonë janë 144 të prekur nga gripi i derrit. Analizat dhe monitorimi i situatës vazhdon dhe çdo ditë në laborator ekzaminohen 20 kampionë analizash.

Duke analizuar situatën nga numrat e të prekurve, shumica e të infektuarve janë banorë të Tiranës. Pas Tiranës, vatra e infeksionit është shtrirë në Durrës dhe Mat. Shumica e të prekurve janë trajtuar në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›