E Diel, 1 Nëntor 2026

Monumenti i George Bush në Fushë-Krujë, hapet konkursi

Në përvjetorin e tretë të vizitës së rrallë, qyteti i Fushë-Krujës do të ketë në qendër të tij bustin e Presidentit amerikan George W. Bush. Një bust që do të flasë për historinë dhe ndikimin e njërit prej njerëzve më të fuqishëm të botës në jetën e qytetit të vogël shqiptar, i cili zuri vend në kronikat e mediave më në zë të SHBA-së dhe atyre europiane për pritjen madhështore, dashurinë dhe entuziazmin, mikpritjen e një kombi të vogël që sheh tek Amerika e madhe mbështetjen e nevojshme për të ecur përpara. Është kryetari i bashkisë, Ismet Mavriqi, që pohon për "Shqip" se aktualisht projekti është në fazën e përzgjedhjes së boceteve dhe më pas do të përfshihet në prokurim dhe gjithçka do të jetë gati në kohën e duhur. Mavriqi pranon se janë disi të vonuar në kohë, për shkak të problemeve financiare, po gjithçka do të jetë gati në kohën e duhur. Ka momente historike në jetën e çdo qyteti që e lartësojnë atë, që kthehen në pjesë të vetëdijes së tij dhe e shtyjnë të ecë përpara e të marrë zhvillimin e dëshiruar. Padyshim, vizita e Presidentit amerikan, George Bush i riu në qytetin e vogël të Fushë-Krujës i dha një shtysë të rëndësishme qytetit dhe njerëzve të tij, që panë tek ajo vizitë shpresën, rigjenerimin dhe mosharrimin. Më 10 qershor 2010, në 3-vjetorin e vizitës së Presidentit amerikan në qytetin ku gjurmët ende janë të prekshme dhe të fiksuara në celuloid dhe emërtimin e vendeve ku ai u ndal, një bust do të ngrihet në sheshin kryesor që gjithashtu do të marrë emrin George W. Bush. Kanë kaluar 2 vjet e gjysmë nga koha kur Presidenti u prit me një entuziazëm të paparë në Fushë-Krujë, por jehona ende vazhdon. Kryebashkiaku i qytetit, Ismet Mavriqi, tregon për gazetën se pas vizitës mes tij dhe Presidentit Bush nisi një korrespondencë me letra, që fillimisht vinin nga Shtëpia e Bardhë në Uashington e më pas nga adresa private e ish-presidentit, që ia la vendin pasardhësit Obama në shtëpi. Rreth 200 mijë dollarë do të përdoren për studimin dhe rehabilitimin e sheshit kryesor të qytetit dhe vendosjen e bustit të tij në sheshin e vogël. Jo larg tij ndodhet kafeneja dhe furra e bukës, dy bizneset në të cilat George Bush ndaloi e bisedoi. Në zyrën e kryetarit të bashkisë sapo hyn të bien në sy flamuri amerikan, foto të shumta të bëra më 10 qershor 2007, atë ditë historike për Fushë-Krujën. Mavriqi thotë se vizita e Presidentit Bush zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën e komunitetit që ai drejton dhe si e tillë, përfshi edhe kontributin e çmuar që SHBA-ja ka dhënë përmes USAID-it për ecurinë e qytetit, duke mbështetur me projekte konkrete dhe orientim për një qeverisje të mirë, duhet përjetësuar. Busti i Bushit dhe sheshi ku do të vendoset e që do të mbajë emrin e Presidentit që u bë pjesa më e rëndësishme e historisë së qytetit shihen nga banorët si investime që do të çelin dyert për shumë të tjera, në përmirësimin e jetës së tyre në hapësirat publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›