E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI-PDU, pol i ri brenda maxhorancës



Aristir Lumezi

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta takoi dje në selinë e kësaj partie Kryetarin e PDU-së, Shpëtim Idrizi, në nisje të një bashkëpunimi të gjatë mes tyre. Pas takimit, Meta e Idrizi deklaruan gatishmërinë e të dy partive, për të vendosur një bashkëpunim, i cili do të jetë si në Parlament, ashtu dhe jashtë tij. Ky bashkëpunim bëhet vetëm një vit para zgjedhjeve për pushtetin vendor. Të dyja partitë janë pjesë e maxhorancës aktuale, e cila radhit në krahun e saj 75 deputetë. Kreu i LSI tha pas takimit, se ai jo vetëm synon të vendosë bazat e një bashkëpunimi real dhe konkret të dy forcave politike në Parlament dhe jashtë tij, por njëkohësisht shërben për të dhënë mesazhe të rëndësishme për të gjithë opinionin publik dhe për të gjitha forcat politike në vend. "Integrimi Evropian i Shqipërisë është prioriteti numër një për forcat tona politike dhe do ta tregojmë këtë duke bashkëpunuar në Parlament dhe jashtë Parlamentit për gjithçka që ka të bëjë me stabilitetin e institucioneve, që ka të bëjë me stabilitetin e qeverisjes, që ka të bëjë me kërkesat për integrimin evropian të vendit, por edhe me çështjet që përfaqëson në mënyrë të veçantë PDU-ja do të kenë përkrahjen tonë gjithnjë kur ato do të jenë në përputhje me atë frymë konstruktive dhe europeiste, që duhet të ekzistojë për zgjidhjen e problemeve të tilla të trashëguara me vendet fqinje", u shpreh Meta. Nga ana e tij, kreu i PDU-së, Shpëtim Idrizi përshëndeti takimin dhe qëndrimet e përbashkëta që ndajnë të dyja forcat për proceset integruese të vendit. "Integrimi është pika e parë e axhendës të përgjithshme dhe ne ndajmë të njëjtin opinion me zotin Meta dhe do të vazhdojmë me shumë përgjegjësi që të jemi pjesë e këtyre proceseve", u shpreh Idrizi. Sipas tij, "PDU është një parti e cila po voton maxhorancën në çdo rast në Parlament, sidomos për ato ligje që ne mendojmë se shpejtojnë proceset integruese". "Ne do ta bëjmë këtë me të gjitha forcat politike. Sigurisht prioritet do të kenë ato forca që kanë përputhje me çështjet tona. E theksoj dhe një herë se nga të gjitha forcat politike, LSI-ja ka qenë e vetmja forcë politike që e ka pasur çështjen çame në programin e saj", tha Idrizi.

Ilir Meta
PDU është një forcë politike, që mbron të drejtat e cenuara të komunitetit çam. Qëndrimi i LSI-së është shumë i qartë, se këto janë në radhë të parë të drejta të njeriut dhe si të tilla ato duhet të respektohen nga të gjithë, janë të drejta që duhet të njihen nga të gjithë dhe unë besoj se dhe z. Idrizi dhe partia e tij, ndajnë të njëjtin mendim se zgjidhja e këtyre të drejtave do të ndihmohen veçse nga përmirësimi dhe përforcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shumë të mira midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Shpëtim Idrizi
Sigurisht që kënaqësi tjetër e veçantë dhe vlerësim pozitiv, të cilin unë dua ta shpreh konkretisht për zotin Meta dhe LSI-në, sepse është ndër të paktat parti që çështjen çame e ka në programin e saj. Në këtë pikë, ne kemi gjetur mirëkuptim të plotë si një çështje e drejtë, si një çështje e të drejtave të njeriut dhe zgjidhja e saj sigurisht që do të forcojë marrëdhëniet domosdoshmërisht shumë të mira që ne duhet të kemi me shtetin grek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›