Këshilltarët juridikë të bankave për eurobondin, kërkojnë garanci
Këshilltarët juridikë të bankave menaxheriale të transaksionit të eurobondit të parë shqiptar, JP Morgan dhe Deutche Bank, kanë ngritur pranë Ministrisë së Financave shqetësimin për një “ngërç” ligjor që mund të lerë vend për keqinterpretime. Menjëherë nga ana e Financave ky propozim është paraqitur para Komisionit të Ekonomisë dhe është vendosur që në projektligjin e miratuar për eurobondin dy ditë më parë të shtohet edhe një nen i ri. Zëvendësministri i Financave Nezir Haldeda u shpreh dje, se në projektligjin për lëshimin e eurobondit është e nevojshme të bëhet një saktësim për ruajtjen e stokut të borxhit. “Për të shmangur keqinterpretimet në ligjin tonë të buxhetit kemi një klauzolë ku themi se, që nga fillimi i hartimit është si kufi që borxhi publik nuk e kalon 60% të GDP-së”, tha Haldeda. Në këtë pikë ai shpjegoi se tejkalimi i limitit që mund të vijë për efekt të GDP-së si variabël, por edhe kursit si variabël nuk përbën problem, por që kjo duhet të sanksionohet në ligj për t’u dhënë garanci investitorëve. “Ne bëjmë këtë saktësim me të vetmen arsye që të garantojmë që kontratat rregulluese të instrumentit nuk ndikohen nga borxhi edhe nëse tejkalohet përqindja. Kërkesa e vazhdueshme e bankave bëhet për të shmangur çdo keqinterpretim dhe për ta bërë sa më të kuptueshme tek investitorët që kjo përqindje e tejkaluar nuk ndikon në këtë kontratë dhe në këtë instrument prandaj kjo duhet të shtohet në ligj”, u shpreh Haldeda. Komisioni i Ekonomisë miratoi këtë propozim të Ministrisë së Financave për nenin e ri duke shtuar se ky do të heqë dyshimet tek ligji i eurobondit.