Rama në Durrës: T’i japim fund rrenave
Aristir Lumezi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka qenë në lagjen numër 16 të qytetit të Durrësit. Një lagje periferike kjo e një qyteti të dytë për nga rëndësia e zhvillimi në vend, ku njerëzit tregojnë që janë të varfër, ku faturat e energjisë janë më të larta se ndihma ekonomike sipas banorëve. Në takimin me kreun e socialist Rama, qytetarët shprehën ankesat e tyre për pamundësinë e përballimit të jetesës për shkak të çmimeve gjithnjë në rritje, për shkak të mungesës së vendeve të punës. Nga ana e tij, Rama u shpreh se kjo është situatë e mijëra shqiptarëve, dhe u bëri thirrje të ngrihen së bashku në protesta. "Në këtë situatë që jeni ju, janë qindra mijëra njerëz që nuk kanë mundësi të paguajnë dritat, nuk kanë mundësi të shtyjnë muajin. Ka vetëm një rrugë për të dalë nga kjo gjendje, në protesta bashkë me ne për t'i dhënë fund kësaj historie korrupsioni, kësaj historie vjedhjeje, kësaj historie abuzimi, që i ka rrënjët aty tek ato kutitë e votimit", theksoi Rama. Duke i sqaruar banorët e lagjes 16 në Durrës, se të vetmit që mund të ndryshojnë diçka janë vetë ata, Rama i ka ftuar në protestë, si e vetmja rrugë për t'i dhënë fund kësaj historie me rrena, sipas tij. "Ju keni votuar për ndryshimin, pushteti e ka kthyer votën tuaj në një votë për vetveten. I vetmi që mund ta rikthejë në vend këtë punë është populli. Nuk do vazhdojmë kështu, do të protestojmë, do të protestojmë, do të protestojmë të gjithë bashkë. T'i japim fund kësaj historie. Kjo histori me rrena dhe me vjedhje duhet të mbarojë", tha Rama. Një nga banorët i pranishëm në takimin me Ramën tregoi situatën e vështirë ekonomike që kalon. "Dritat kanë ardhur 150 mijë lekë, vetëm dhjetori. Edhe këtej që kemi pa i larë dritat kemi nga 60-70 mijë lekë, po me çfarë do t'i lajmë ne këto. Me çfarë do t'i lajmë ne këto kur ne shteti nuk na ka siguruar as punën, as përkrahje, asgjë. Kemi marrë bukë me defter që në 2009 dhe nuk e kemi larë, zonja e dyqanit na kërkon lekët", u shpreh banori.
Korçë
Po dje, ish ushtarakët e Qarkut të Korçës, organizuan sërish një protestë për kërkesat e tyre të rritjes së pensioneve. Ish-oficerë dhe ish-policë u mblodhën në sheshin para teatrit të qytetit të Korçës, duke pasur në mbështetje të tyre edhe deputetët e opozitës, Olta Xhaçka dhe Arben Ahmetaj. Pankartave të mbajtura nga ish ushtarakët, të cilat i bënin apel Qeverisë dhe Kryeministrit Berisha, të mos mbajë peng vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e ish-ushtarakëve apo atyre kundër rritjes së çmimeve, iu bashkua në fjalën e tij kreu i shoqatës së ish-ushtarakëve për Korçën, Kiço Tele. "Ne ish-ushtarakët dhe ish-policët dalim në mbrojtje të të drejtave ekonomike dhe financiare të familjeve tona. Prej vitesh ne kërkojmë të drejtat tona legjitime, por ato na mohohen nga Qeveria e drejtuar prej Sali Berishës", u shpreh kryetari i shoqatës së ish- ushtarakëve. Sipas Teles, në rrethin e Korçës janë 623 ish- ushtarakë dhe ish-policë që u është fshehur dhe mbajtur pensioni, ndërsa për gati 2800 të tjerë që përfitojnë pension të parakohshëm, shpërblimi jepet i përgjysmuar dhe jo sipas ligjit. Ai shtoi se Ministria e Financave ka ndaluar dhënien e pensionit të parakohshëm edhe për 180 persona që e përfitojnë atë. "Ndaj ish-ushtarakëve ka diskriminim, por ne ia kemi lënë në dorë organeve të drejtësisë që të zgjidhin kërkesat tona deri më tani të paplotësuara", tha Tele. Në këtë protestë, ai bëri të ditur se i është drejtuar me një kallëzim penal Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së rrethit Korçë. Ky kallëzim penal, që pritet të shqyrtohet pak ditë më vonë nga Prokuroria, është ngritur ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Drejtorisë rajonale të tij në Korçë, për shpërdorim detyre dhe abuzim me paratë që u takojnë ish- ushtarakëve. Një protestë e ngjashme e ish-ushtarakëve u zhvillua ditën e mërkurë edhe në qytetin e Ersekës.
“Jemi pa sinjal televiziv”
Edhe banorët e Gramshit protestuan dje ndaj indiferencës së Qeverisë ndaj tyre, pasi sipas tyre ata kanë votuar të majtën. Bëhet fjalë për komunën Lenie në Gramsh, ku banorët e kësaj komune kanë protestuar për të njëjtën arsye, Qeveria i ka penalizuar për faktin se ata janë një komunë e majtë. Gjatë protestës, në të cilën ka qenë i pranishëm dhe deputeti i zonës, Damian Gjiknuri, banorët kanë ngritur shqetësimet e tyre. Ata kanë akuzuar Qeverinë se po u vjedh paratë, duke paguar një shërbim që nuk u jepet, pasi këta banorë që prej 3 vjetësh nuk kanë më sinjal televiziv, e pavarësisht kësaj, ata paguajnë taksën për TVSH. Lënia në harresë e kësaj komune, duke mos dhënë asnjë fond, ka bërë që komuna të ketë një mungesë të plotë infrastrukture, mungesë kjo që çon deri në izolimin e plotë të kësaj komune.
Në Nikël, protestë për dritat
Në Nikël, komunë e Krujës, është zhvilluar një protestë e banorëve të saj për shkak të mungesës së theksuar të energjisë elektrike. "Energjia elektrike, kur PD ishte forcë e parë në këtë komunë vinte e rregullt 220 volt, ndërsa pas zgjedhjeve 2009, ku PD doli forcë e tretë, në këtë komunë tensioni vjen 70 volt", u shprehën banorët. Protestuesit u mbështetën dhe nga deputeti socialist Blendi Klosi. "Ne kemi në Nikël një nga bizneset më të mëdha në Shqipëri, kemi biznesin e drurit dhe energjia elektrike këtu nuk shkon as 70 volt, megjithëse banorët, bizneset e kësaj zone e paguajnë atë. Dhe kjo ndodh sepse Qeveria diskriminon një komunë të vetme të majtë që kemi në qarkun tonë", u shpreh Klosi.
Fushë-Krujë, protestojnë fermerët
Fermerët e Fushë-Krujës kanë akuzuar Qeverinë se nuk po i ndihmon ata që të mbjellin tokat e tyre dhe të kenë prodhime bujqësore. "Kam problem për tokat bujqësore, shteti nuk ka subvencionuar absolutisht te karburanti, përpunimin e tokës bujqësore. Fshatarët i kanë lënë tokat djerrë, sepse një dynym tokë aktualisht përpunohet me 12 mijë lekë të vjetra, në një kohë kur fshatari nuk ka mundësi as ta plugojë, as ta mbjellë. Prodhimet bujqësore janë përtokë, sistemi i vaditjes dhe i kullimit janë dërrmuar të gjitha dhe nuk është vënë dorë fare", u shpreh gjatë protestës një nga banorët e zonës.