E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Shkup: Zbatoni marrëveshjen e Ohrit



Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi një vizitë zyrtare në shtetin fqinj të Maqedonisë, nga ku theksoi se zbatimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit është elementi kyç për stabilitetin e Maqedonisë, ku jetojnë më se 30 për qind shqiptarë. Deklarata e Presidentit shqiptar u bë në Parlamentin e Maqedonisë, ku ai mbajti një fjalim. "Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet shembull i kompromisit jo vetëm politik, por edhe i paqes ndëretnike në Republikën e Maqedonisë. Zbatimi i plotë i saj është element kyç për stabilitetin e Maqedonisë dhe të ardhmen e saj evropiane", tha Presidenti Topi para deputetëve maqedonas. Ai nënvizoi edhe marrëdhëniet mes dy vendeve, duke vënë theksin te Korridori 8, por edhe në investimet e tjera. "Dëshiroj të nënvizoj rolin e vendeve tona, por edhe përparësinë që ka për to angazhimi në projektin madhor të "Korridorit të 8-të", i cili përbën një arterie të pazëvendësueshme zhvillimi shumëplanësh. Projektet tona të energjisë, infrastrukturës, transportit rrugor, detar, hekurudhor, ato të telekomunikacionit, kanë provuar bashkërendimin e suksesshëm dypalësh, sidomos në drejtim të lobingut për gjetjen e mundësive realizuese të këtij projekti", deklaroi Topi. Kreu i shtetit shqiptar nuk harroi në fjalën e tij edhe Kosovën. Ai falënderoi shtetin maqedonas për njohjen që i bëri Kosovës, duke shtuar se ky shtet është një realitet i pakthyeshëm. "Kosova është e pavarur dhe ky realitet i pakthyeshëm, sado i dhimbshëm të jetë për ndokënd, duhet pranuar", tha Presidenti. Gjatë vizitës në Maqedoni, Presidenti Topi u takua me autoritetet më të larta të vendit, si Presidentin Ivanov, kryeministrin Gruevski, si dhe kreun e Parlamentit. Së bashku me homologun Ivanov, Presidenti shqiptar realizoi edhe një konferencë për shtyp. "Deri tani mundësinë e liberalizimit të vizave e kanë qytetarët e Maqedonisë dhe së shpejti do ta kenë edhe qytetarët e Shqipërisë. Maqedonia dhe Shqipëria janë gjithashtu të lidhura ngushtë edhe për shkak të komunitetit shqiptar që jeton në Maqedoni dhe të komunitetit maqedonas në Shqipëri", tha Ivanov. Nga ana e tij, Topi vlerësoi se liberalizimi i vizave do të ndodhë shpejt për qytetarët shqiptarë. "Për sa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve, dëshiroj t'ju them se Shqipëria është shumë afër këtij çasti historik për shoqërinë shqiptare. Pa dyshim, që vlerësoj shumë ndihmën e shprehur edhe nga Presidenti Ivanov", tha Presidenti Topi. Në konferencën për shtyp, Ivanov u pyet nga mediat shqiptare në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Presidenti maqedonas tha se "për sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshjeje, ai është partneritet institucional dhe është në vazhdim e sipër; ndërsa për sa i përket kabinetit tim, kam tre të punësuar shqiptarë, por kjo nuk do të thotë se ky numër nuk do të ndryshojë në të ardhmen".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›