ASHR-ja mbyll 8 klinika dentare private në kryeqytet
Emanuela Sako
Inspektorët sanitarë të Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës kanë deklaruar mbylljen e 8 klinikave dentare private. Shkak për këtë është bërë se stomatologët ushtronin profesionin pa licencën përkatëse për zhvillimin e aktivitetit. Drejtori i ASHR-së, Mhill Gecaj, deklaroi se gjatë periudhës 1-15 prill janë kontrolluar gjithsej 80 klinika dentare, nga të cilat 8 kanë rezultuar pa licencë. Ushtrimi i aktivitetit të dentistit pa licencë është një problem shqetësues për qytetarët dhe Ministrinë e Shëndetësisë, pasi aktiviteti i tyre nuk është i regjistruar dhe nuk mund të kontrollohej nga specialistët e shëndetësisë. Ndërsa për qytetarët, problem janë kushtet në të cilat punojnë dentistët e palicencuar. ASHR-ja, tashmë do të shtojë kontrollet e vazhdueshme në të gjithë Tiranën, për të minimizuar këtë fenomen. Drejtori i ASHR-së pohon se vendimet për mbylljen e këtyre klinikave dentare private u kanë kaluar për ekzekutim Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, si dhe asaj Tatimore.
Kontrollet
Përveç kësaj, ASHR-ja do të intensifikojë kontrollet mbi kushtet higjieno-sanitare të klinikave private stomatologjike, por dhe të kabineteve dentare në institucione publike, si shkolla, etj. Kontrollet për licencimin dhe rilicencimin e klinikave dentarë nisën në muajin dhjetor 2008. Bazuar në ligjin përkatës, të gjithë personat fizikë dhe juridikë, që ushtrojnë veprimtarinë në shërbimin shëndetësor stomatologjik, në rast të mospajisjes me licencë për ushtrimin e aktivitetit, përballen me gjobën 50 mijë lekë dhe me ndërprerje të veprimtarisë, deri në plotësimin e dokumentacionit sipas legjislacionit. Për klinikat që kryejnë shkelje gjatë ushtrimit të aktivitetit, MSH-ja parashikon marrjen e masave penalizuese. Ministria e Shëndetësisë ka propozuar rritje të çmimit të gjobave që do të penalizojnë klinikat dentare në rast se në punën e tyre do të evidentohen shkelje. MSH-ja ka bërë të ditur se shkak për këto penalizime janë bërë problemet e konstatuara në këto ambiente. Specialistët kanë menduar që rritja të bëhet sipas rastit të shkeljes, për shembull, nëse gjoba është 10 mijë lekë, do të bëhet 12 mijë lekë etj.
Siguria
Shpeshherë klinikat dentare janë bërë objekt i ankesave të qytetarëve pranë, Urdhrit të Mjekëve, që është institucion i pritjes së ankesave të qytetarëve. Kjo pasi, klinikat dentare nuk ofrojnë siguri për shëndetin e pacientëve. Gjatë mjekimit të dhëmbëve ekziston mundësia e marrjes së hepatiteve apo viruseve të rrezikshme, siç është HIVAIDS-i, për shkak se sterilizimi i pajisjeve dhe i instrumenteve nuk kryhet siç duhet. Urdhri i Mjekut publikoi pak ditë më parë raportin e një studimi të kryer në klinikat dentare të qarkut të Tiranës, sipas të cilit problem kryesor mbetet licencimi i këtyre subjekteve, kushtet higjieno-sanitare, si dhe mungesa e energjisë elektrike që ndërpritet edhe gjatë mjekimit. Shoqata e Stomatologëve ngre një tjetër shqetësim për klinikat dentare. Duke iu referuar të njëjtit studim del se në mbi 60 kabinete dentare, 1/3 janë të palicencuara. Pavarësisht këtij studimi, i cili përfshin vetëm një hapësirë të kufizuar ku zhvillojnë aktivitetin klinikat dentare, në rang vendi nuk dihet zyrtarisht se sa është numri i klinikave të licencuara dhe atyre të palicencuara.
15 Prill 2009